Zëri ëngjëllor që buçoi Radion/-shkruan;-Migel FLOR

Ka njerëz që nuk ngjajnë me të tjerët; ata shkruajnë histori dhe mbeten të paharruar Nuk mbahen mend nga suksesi por nga tingulli që lanë pas. Ka zëra që treten si mjegulla e mëngjesit, dhe ka zëra që ngulen në kujtesën e popujve si kambana zgjimi… Një zë i tillë ishte ai që buçiti radion dhe hyri në zemrat tona vetvetiu.. Kur tha: “Të kam…”, nuk foli vetëm një njeri. Foli koha me buzët e tij, foli dashuria me gjuhën e shpirtit. Ajo fjali e shkurtër kishte peshën e një betimi dhe ngrohtësinë e një përqafimi. Zëri i tij dukej sikur kishte veshur këmishën e bardhë të paqes, ndërsa në grykën e tij rrinte një bilbil i artë që kthente frymën në shpresë kombëtare.. Nuk bërtiste, sepse malet nuk bërtasin; mjafton të jenë aty dhe të duken. Kur lufta i zbriste njerëzisë mbi kokë dhe lumenjtë mbusheshin me gjak, ai zë dilte nga radioja si një dritare e hapur … Shtëpitë e varfra e prisnin si bukën, nënat si lajmin e mirë, fëmijët si përrallën e mbrëmjes. Ai hynte nëpër dhoma, ulej pranë sofrave dhe ndizte në zemra një zjarr ti ngrohte. Frika, ajo bishë e kohës, strukej në qoshe kur e dëgjonte. Radio Tirana atëherë nuk ishte thjesht ndërtesë me antena. Ishte lis i madh që lëshonte degë zëri mbi troje, ishte det që shpërndante valë shprese, ishte qiell që binte mbi njerëzit në trajtë fjale. E ai zë ishte shqiponja e saj më e lartë, që fluturonte mbi kufij dhe sillte lajmin se shpirti ende kishte shpëtim… Vitet kaluan …, por disa gjurmë nuk i fshihen Trupi u lodh, shpatullat u përkulen mbi bastun, duart dridhen pak , por madhështia nuk është plakur…Balli i rrudhur i njeriut të madh është harta nga beteja të fituara. Rrudhat e tij janë brazda ku ka mbirë përvoja, dhe sytë e lodhur mbajnë ende dritën e agimeve të dikurshme. Pleqëria s’ka fuqi aty ku rri idealizmi. Ajo mund të prekë mishin, por jo shpirtin. Mund të zbehë zërin, por jo jehonën. Kur ai fliste edhe i drobitur, dukej sikur flet vetë koha, e mbështetur mbi bastun, por ende krenare. Prandaj unë do t’ia përcjell bijës sime atë zë, siç përcillet flaka nga qiriu në qiri pa u shuar. Disa njerëz nuk plaken, nuk harrohen ,nuk vdesin: ata shndërrohen në legjendë. Disa zëra nuk heshtin: ata bëhen atdhe brenda popullit të vet… Ai zë ëngjëllor që buçoi radion, ende sot troket në portat e gjithë Shqiptarëve dhe kur flet ai dielli hyn nga dritarja. Migel Flor (Nga një bisedë e gjatë me ikonën e Radios Shqiptare Agim Xheka)/QendraPress/