BE po shqyrton mundësinë të sjellë të burgosurit e Europës në Shqipëri e Kosovë për të zgjidhur krizën e saj me burgjet!!! O tempora o mores! /Shkruan:- Ervina Toptani

                               Në ditët e fundit, media të rëndësishme evropiane si Belga News Agency, Euronews, Politico dhe portale analitike të BE-së kanë raportuar se Belgjika po shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të të burgosurve të huaj jashtë territorit të saj, duke përfshirë si opsione Shqipërinë dhe Kosovën. Lajmi u shoqërua edhe me një prononcim të ministres belge të Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, e cila deklaroi se qeveria belge po kërkon “zgjidhje alternative dhe pragmatike” për krizën e mbipopullimit të burgjeve dhe për përshpejtimin e kthimit të të huajve pa dokumente ligjore. Ky diskutim vjen pas precedentit të krijuar nga marrëveshja Danimarkë–Kosovë, e vitit 2022, që parashikon transferimin e të burgosurve danezë në një burg në Gjilan, marrëveshje e cila fillon të zbatohet në vitin 2027. A e dinë njerëzit në Kosovë këtë gjë? A i ka informuar qeveria se çfarë po bën? Në Kosovë fillon zbatimi në 2027, në Shqipëri të dërguarit e qeverisë belge për këtë problem kanë ardhur disa herë në Shqipëri e janë pranë arritjes së marrëveshjes për të sjellë të burgosurit e burgjeve belge në Shqipëri!

Në sipërfaqe, kjo ide paraqitet si një zgjidhje teknike për një problem administrativ të BE-së, por në thelb ajo hap një çështje shumë më të thellë politike e sovrane. Kur vendet e fuqishme të Evropës i zhvendosin problemet e tyre strukturore drejt vendeve më të dobëta ekonomikisht dhe institucionalisht, nuk kemi të bëjmë më me partneritet, por me përdorim instrumental.

Shqipëria dhe Kosova rrezikojnë të shndërrohen në një “kosh” periferik sigurie për BE-në, një hapësirë ku depozitohen pasojat e dështimeve të politikave penale dhe migratore evropiane, pa një debat real publik dhe pa transparencë institucionale.

Kjo qasje cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, sepse importon rreziqe që nuk janë prodhuar nga shoqëritë tona, por që do të menaxhohen nga kapacitete tona të kufizuara. Cenon sovranitetin, sepse vendimet për territorin, sistemin e burgjeve dhe sigurinë merren nën presion diplomatik dhe ekonomik, jo mbi bazën e vullnetit qytetar. Cenon edhe dinjitetin politik, sepse na pozicionon si zgjidhje për krizat e të tjerëve, jo si subjekte të barabarta në rendin evropian.

Më e tmerrshmja është heshtja dhe relativizimi i kësaj çështjeje nga politikanët të cilët në vend që të mbrojnë interesin kombëtar, priren ta paraqesin çdo kërkesë të BE-së si “mundësi” pa analizuar koston afatgjatë sociale, juridike dhe të sigurisë. Kjo nuk është më thjesht paaftësi politike, por formë dorëzimi e qëllimshme e sovranitetit që i shndërron Shqipërinë dhe Kosovën në territore funksionale për interesa të huaja, ndërsa qytetarëve u mohohet e drejta për të ditur, diskutuar dhe vendosur për sigurinë e tyre e të Atdheut.

Ky debat është emergjencë qytetare! Rrezikojmë të humbasim sovranitetin e shtetit tonë e të bëhemi streha e kriminelëve të burgjeve të Europës, me mijëra prej tyre. Një shoqëri që pranon të bëhet depo e problemeve të të tjerëve pa kushte të qarta, pa transparencë dhe pa garanci, rrezikon të humbasë jo vetëm sigurinë, por edhe kuptimin e vet si shtet. Dhe kjo nuk është pyetje që i përket vetëm qeverive, por i përket pikësë pari ndërgjegjes sonë qytetare, na përket direkt ne shqiptarëve. Nuk e di nëse do të mundemi të mbrohemi dot më, qeveria jonë e ka shitur tashmë Shqipërinë./QendraPress/