Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

KUR METAFORA BËHET FRYMË

——————————————

Nuk është kjo fuqi magjistarësh, as lojë me sy,

Është majë e fjalës që pushton, që bëhet shtëpi,

Ku muza e mendimit, si ujë i pastër te kroi,

I fton të gjithë të eturit që artin ta shijojnë me sy.

Poeti s’është thjesht shkronjës, as hije që shkon,

Por këngëtar i shpirtit që dritën e zgjon,

Ai mbledh imazhe, thur metaforën me mund,

Që vargu të bëhet një anije, ku qetësia gjen fund.

Kur qielli i atdheut verbohet nga mjegull e rrejshme,

Dhe engjëjt e kaltër na prangosin ëndrrat e bardha,

Vargu ngrihet si klithmë, si dritë nxitëse, e qetë,

Për të nxjerrë shoqërinë nga harresa dhe pritat e ngrira.

Nëse qyrkun na e presin si t’u teket të tjerëve,

Dhe gjuha e lidhur kryq bredh udhëve të harrimit,

Poezia vjen si uratë, si freski e gurrave të nënës,

Për të na mbrojtur nga nata dhe verbëria e pendimit.

Ajo rron në çdo “çast alpik”, në çdo katarakt malli,

Ku fjala nuk nxë dot brenda kornizës së saj,

Është dialektika i jetës që na shëron nga halli,

Dhe dritën e të nesërmes na e sjell pa vaj.

Poezia është peshkatar i lodhur që kërkon breg,

Një ngacmim i muzës që flatron në liri,

Nuk e kap dot përkufizimi, asnjë ligj e asnjë shteg,

Sepse ajo është vetë magjia, që rritet nëpër ne,

në heshtje e në fshehtësi.

Zvicër, 2026

/QendraPress/