Problemi i demokracisë sonë nuk nis gjithmonë te kutia e votimit, ai nis edhe te mënyra si flasim dhe vendosim për njëri-tjetrin.: Shkruan;Bashkim HOXHAJ.analist politik.

Në rrjete sociale dhe në biseda të përditshme dëgjojmë shpesh: “unë dhe familja ime do ta votojmë këtë subjekt”, ose “ne nuk e votojmë kurrë atë”, ose “unë dhe familja ime nuk do të votojmë fare”.

Këto fjali duken të pafajshme, por flasin për një krizë të heshtur të lirisë individuale.

Të bindësh dhe të lobosh edhe në familje, është krejt demokratike. Por të flasësh dhe të vendosish në emër të vullntetit të të tjerëve nuk është demokratike. Këtu fillon imponimi, në këtë pikë humbet autonomia personale.

Kur vullneti i individit relativizohet në familje, ai relativizohet më lehtë edhe në hapësirën publike.

Të jem sa më i qartë: imponimi në shtëpi nuk e justifikon kurrë krimin elektoral që po na ndodh shpesh në Kosovë, por të dyja burojnë nga e njëjta mendësi: mosrespektimi i individit si subjekt i lirë.

Ne e kemi normalizuar në njëfarë mënyre vendosjen për tjetrin dhe pastaj çuditemi pse manipulohet vota.

Ligjet janë tejet të rëndësishme, mirëpo demokracia nuk funksionon vetëm me ligje; ajo përbëhet edhe nga mentaliteti, mënyra e sjelljes, marëdhëniet sociale, trajtimi me respekt ndaj qasjeve të ndryshme… Vota është e drejtë personale, është shprehje e lirë dhe nuk mund të cënohet; askush nuk ka “kompetencë” mbi vullnetin e tjetrit.

P.s

Sido që të jetë, personalishtë nuk është se i besoj këtij pushteti. Në fund me siguri do të flasë drejtësia./QendraPress/