GËZUAR PAVARSINË, KOSOVË! Nga Nexhbedin Basha Gazetar & Poet

Në këtë 17 Shkurt, kur mbi Kosovë më 2008 valëvitej flamuri i lirisë, kujtojmë se kjo ditë nuk erdhi si dhuratë e kohës, por si fitore mbi dhimbjen. Në këtë ditë drite, një popull i dalë nga hiri i historisë u ngrit në këmbë dhe tha me zë të plotë: jemi të lirë. Fjala “Pavarësi” nuk ishte më ëndërr, por frymë; gjaku i derdhur në male dhe fusha mori kuptim; betimi i djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u bë themel i shtetit. Ata luftuan jo për pushtet, por për dinjitet. Jo për hakmarrje, por për dritë. Luftëtarët e UÇK-së u ngritën kundër makinerisë së terrorit dhe represionit të Slobodan Miloševićit; një regjimi që mbolli frikë e terror, dëbim dhe varre masive, por që nuk arriti të gjunjëzojë shpirtin e një populli që kërkonte vetëm të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet. Ata luftuan për ta çliruar Kosovën nga prangat e robërisë dhe për t’i kthyer fjalës “atdhe” kuptimin e saj të plotë, duke e bërë dritën më të fortë se errësira. Që nga lufta e Kosovës, kam ndjekur si gazetar eksodin e popullit vëlla kosovar drejt Shqipërisë, akomodimin e tyre në qytete të ndryshme, dhe përpjekjet për të mbajtur dinjitetin dhe shpresën deri në shpalljen e Pavarësisë dhe më pas në njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Kam pasqyruar rrugëtimin e vështirë, por të domosdoshëm të luftëtarëve të UÇK-së, intelektualëve dhe popullit të Kosovës, duke shënuar çdo moment si pjesë të historisë sonë të përbashkët. Sot, ndërsa flamuri valëvitet krenar, kujtojmë edhe ata luftëtarë që mbahen padrejtësisht në sallat e Dhomave të Specializuara në Hagë. Historia është më e madhe se çdo sallë gjyqi. Ajo ruan arsyen pse ata morën armët: për të mbrojtur pragun, për të shpëtuar nderin, dhe për të hapur udhën e lirisë. Gjithashtu, kujtojmë komandantët legjendarë, si Adem Jashari, Afrim Bonhaku dhe të tjerët, të cilët me guxim e sakrificë i dhanë popullit shqiptar të Kosovës shpresën dhe rrugën drejt lirisë. Për ta, si dhe për të gjithë dëshmorët, kam kushtuar poezi dhe fjalë që ruajnë kujtesën e tyre në zemrat tona. 17 Shkurti nuk është vetëm datë. Është amanet. Është kujtesë se liria nuk dhurohet; ajo fitohet me sakrificë. Dhe sa herë që thërrasim “Kosovë”, në zërin tonë duhet të ketë mirënjohje, drejtësi dhe besim se e vërteta do të mbetet më e fortë se çdo padrejtësi. Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Poezi MOJ KOSOVË, DJEP LIRIE Me 17 Shkurt 2008 çeli pranvera mbi Kosovë, si dritë që doli prej plagëve të motit; nga gjaku i dëshmorëve u ngrit flamuri i atdheut, dhe toka mori frymë si nëna që s’mban lotin. Sot ditët rrjedhin me emrin “Pavarësi”, si kambanat që bien në ndërgjegjen e kohës. E larg, përtej oqeanit, u ndez një yll miqësie, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e panë Kosovën aleate lirie. Nga Shtëpia e Bardhë erdhi fjala e mbështetjes, si bekim për shtetin më të ri në zemër të Evropës; ajo fjalë u bë urë mbi dallgët e historisë, dhe vulë besimi në udhën e lirisë së Kosovës. Dielli digjet në gishtat e Bacalokut, granatat flasin me gjuhën e vjetër të ankthit. Kosovë, ti je libri im që shkruhesh çdo ditë, në shpirtin tim të vrarë nga dashuria. Padashur hodha sytë nga malet, erën dashurova me fllad bjeshkësh; vargu për ty, Kosovë, nuk u thye, dhe ulet mbi lisa, mbi hije eshkësh. Kush tha se liria qenka vrerosur? Kush tha se besa na qenka sosur? Këto troje, kallur në flakë e barot, janë ashti i viteve të vrara ku vala nuk shkoi kot. Në libër të Bardhë shkruar historia, me germa t’arta mbi gjakun e flamurit të kombit. Nga Preveza, Molla e Kuqe e Çamëria, Shqipja etnike lidhur si mishi me thoin. Gjuha shqipe ka lëshuar rrënjë në histori, Ti, Kosovë, je dheu i tokës së Arbërit, Je djep lirie me rrënjë ilire, Flamuri yt mban kujtesën e shekujve. Nexhbedin Basha 17 Shkurt 2026