Çaste poetike me poeten;- Farie BISHA

Shkëndija Hyjnore

—————————–

Magjike, ato momente kur gjendemi me veten.

Ndiejmë ekzistencën në vena dhe pyesim:

Kush jam unë?

Ecim nëpër botë, në drejtim të thelbit,

të qenies brenda nesh që paqen kërkon.

Ulisi, deteve lundroi

në kërkim të diçkaje që brenda vetes e gjeti,

ndërsa larg Itakës largohej.

Rregullit nuk iu bind,

ndaj Eva mollën kafshoi.

Akt që e bëri njeriun të “zgjohet”,

se kalimtarë në këtë botë jemi…

Ashtu edhe Orfeu,

zbriti nën tokë për Euridikën.

Kurioziteti e tradhtoi,

si një zjarr i etur.

Ajo në Hadi përsëri ngeli.

Tek muzika dhe arti, ngushëllim ai

gjeti për dashurinë e tij të humbur.

Ai i përjetshmi,

njeriun krijoi

për të lindur ndryshimin

dhe prapë atë zilia e mori…

Sfidon vdekjen vdekëtari

dhe se është një grimë

në universin pa masë.

Pastaj intuitën i bekoi:

Hyjnore ajo shkëndijë,

që kërkon kuptim përjetësisë t’i japë…

/QendraPress/