Çaste poetike me poetin;-Sabit RRUSTEMI

DUKE E DËSHIRUAR NJË KOHË TJETËR

(Zgjohu para diellit)

———————————-

Kthimin e diellit prite në ballkon

rrezja e Tij zbret nga Mahalla e Epërme,

përbirohet Bokave kah Shpella

dhe arrin deri te Ti.

Pastaj dil deri te Kroi

kthjelli sytë e teri me një puhi Çepuri

Në vend të gjimnastikës

mate me hapa oborrin

Gjurmët e lëna të natës shihi me sytë katër

nëse është sjellur dikush rrotull

apo ka shkelur oborrin

Qenit lexoja lutjen në sy

për t’ mos e lidhur n’ zingjir

vetëm brenda fute

e shpërbleje me një gjellë mëngjesi.

(Në ndërkohë)

Pastroje shtëpinë prej merimangave

pluhurit e bërllogut

Rekës Ahit mos i hudh mbetjet

Vatrën ndize me dru zjarri

mëngjeseve e mbrëmjeve

nga ato që i ke kursyer

(Për organizmin tënd)

Ziej çaj mali gjatë ditës

rëndom pas bukës

që t’mos kesh problem me tretjen

Nëse të ka mbetur ndonjë mollë diku

shijoje

të egrat janë më të shëndetshme

(Gjatë ditës)

Provo të dalësh,

gjatë orarit kur ndërrohen rojet

dhe kur e zë përpak gjumi

Syrin e Fshehur të Përcjellësit

Shtegun kah Rrëza e Çepurit përdore

Majën e Gjergjisë për një kohë harroje

se të shohin

Mbi Shtëpi ke një lokalitet të moçëm ilir

dhe një Meskodër me ftonj të egjër

për s’shpejti dil e eci

sa për t’i pastruar mushkëritë

mbrëmjeve sapo të lëshohet terri

Gjatë pushimit të drekës

mund ta përdorësh makinën e shkrimit

lehtas me sa më pak zhurmë

Shfleto ndonjë libër xhepi po e pate

sa për ta përqëndruar trurin

në një pikë

(Për një qetësi shpirti)

Poezia është e dëshirueshme

dhe ajo muzikë e qetë dhome

Krahina të moçme sharkish

të lënë pa gjumë

besa edhe të stresojnë

Duke dëshiruar një kohë tjetër

koha e tashme na ikën pa e shijuar

(24 mars 2011- 24 mars 2026)

/QendraPress/