Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Simir Krasniqi, priti përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak të Elbasanit.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Simir Krasniqi, dje , ka pritur përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, të udhëhequr nga Lutfi Lala, kryetar i këtij Këshilli, ku ishte i pranishëm edhe Sotiraq Hroni nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës studimore të Këshillit Bashkiak të Elbasanit në Kosovë, e realizuar përmes projektit “Bashki të Forta”, të mbështetur nga SDC-ja dhe Qeveria e Suedisë.
Vizita kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në funksionimin e kuvendeve lokale, me fokus në komisionet komunale, konsultimet publike dhe mbikëqyrjen e ekzekutivit.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e forcimit të llogaridhënies, transparencës dhe pjesëmarrjes qytetare, si elemente kyçe për qeverisje lokale më efikase.