Komandanti Jashari pret në takim Haxhiun, diskutojnë për FSK-në dhe zhvillimin e saj.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar u.d. Presidenten e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Fillimisht Gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje u.d. Presidentes Haxhiu të cilën e informoi në lidhje me proceset nëpër të cilat po kalon Forca e Sigurisë së Kosovës, të arriturat e saj dhe rrugën përpara. Gjithashtu ata diskutuan për planifikimet e FSK-së, duke përfshirë fazën aktuale të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit (PGJT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit si dhe sfidat aktuale të Forcës. Për më tepër u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacione ndërkombëtare jashtë vendit, e cila e shndërron Republikën tonë në një eksportues të sigurisë në konflikte të ndryshme globale. Në anën tjetër u.d. Presidentja Haxhiu e përgëzoi Gjeneral Jasharin për të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe për rezultatet e treguara në sfera dhe aktivitete të ndryshme në të cilat FSK ka qenë pjesëmarrëse. Në fund të takimit palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën e zhvillimit dhe avancimit të FSK-së në forcë moderne, profesionale në rrugën drejt anëtarësimit në NATO./Arbresh.info