Çaste poetike me poeten;-Arbana ARBA

Në memorien e kohës
——————————–
Nuk kam kohë.
Rend të të kap,
gjithnjë në fund të cepit të fustanit.
Je vijë finishi që zgjatet e zgjatet,
sapo dorën shtrij fuqishëm,
drejt teje, të të prek me majat e gishtave.
Nuk kam kohë
të të kërkoj aty ku nuk jam,
aty ku nuk më pret asgjë nga vetja,
aty ku çdo gjë tretet e tretet,
dhe harrohet në kohë.
Shkel fuqishëm këmbën këtu, te harresa,
e i kërkoj ndihmë në lutje kujtesës:
mos më braktis!
E ajo më përgjigjet:
Mos u largo prej vetvetes.
Mos u moho.
Gjithçka që je,
gjithçka që kërkon,
ajo të skalit në memorien kohë.
Veç duaje, adhuroje,
dashuroje më fort në çdo rilindje.
Është e vetmja,
bashkudhëtarja jote në çdo sekondë
frymëmarrjeje.
/QendraPress/