Fryma poetike e së dielës me poeten;- Besnike ALIAJ

Në heshtjen e njerëzve
————————————-
Jetojmë pranë njëri-tjetrit si hije në stacion,
me telefona në duar e zemra pa adresë.
Një nënë qan në heshtje pas derës së një spitali,
kurse bota kalon shpejt, si shi mbi xham të ftohtë.
Në qytet dritat nuk flenë asnjëherë,
por fytyrat janë lodhur nga mungesa e dashurisë.
Ka njerëz që buzëqeshin vetëm për fotografi,
e netëve flasin me dhimbjen si me mikun e fundit.
Një plak numëron barnat në tavolinë,
si dikur numëronte ëndrrat për fëmijët e tij.
Një vajzë fsheh lotët nën grimin e bukur,
sepse askush s’e pyeti sot: “A je mirë?”
Në rrugë shiten lule, por mungon aroma e shpirtit,
shtëpitë janë ngritur lart, por zemrat janë rrënuar.
Kemi mësuar të themi “jam mirë” pa qenë,
dhe të ecim përpara edhe kur brenda po shembemi.
Një fëmijë fle me barkun bosh diku,
ndërsa dikush hedh bukë në mbeturina pa menduar.
Kjo botë po mplaket nga mungesa e njerëzisë,
jo nga vitet, por nga harresa për njëri-tjetrin.
E prapë…
mes gjithë kësaj errësire që na ndjek si hije,
mjafton një dorë që ngrihet për tjetrin,
që bota të mos vdesë krejt nga ftohtësia.
Prandaj ruaje zemrën njerëzore brenda vetes,
mos lejo ta mbulojë pluhuri i kohës.
Sepse një ditë nuk do të na pyesin sa pasuri kishim,
por sa plagë shëruam te njerëzit që takuam.
/QendraPress/