Çaste poetike me poeten:-Klara SHEHU

Jeta nuk është lojë
——————————
Lojën: “Më do… apo s’më do”, e vogël e luaja shpenguar.
Kujtoj e si harroj dot, lulet që mbaja në duar.
Fletët e bardha të luledeles, duke i hequr nji nga nji.
Thoja pa zë… “të dua”, t’mos më dëgjonte njeri.
Duke luajtur në natyrë u rrita, ku lojrat s’mbarojnë si n’përrallë.
Mbi lëndinat me luledele, mbetën kujtimet dhe shumë mall.
Më pëlqen shpesh ta kujtoj, sytë më mbushen plot me lot.
Fëmijërinë sa herë e mendoj, i falem jetës për at’Zot.
….
Në fushën me bar të rikthehemi, tashmë është e pamundur.
Godina të larta prej mermeri, mbi gjelbërimin janë ngulur.
S’na përfillën kur kërkonim: “Mos na humbni fëmijërinë”..!
Dje frymonim mbi gjelbërimin, sot s’ka parqe ku të rrimë.
“Për fëmijët t’i ruajmë parqet”, ne kërkuam s’na dëgjuan.
Pa gjelbërimin nuk kënaqen, sot fëmijët s’kanë ku luajnë.
Luajnë në rrugë e trotuare, se natyrën ua kanë grabitur.
Disa ca njerëz për ca pare, grykëmëdhenj të babëzitur.
…
Me shpresë do të vij një ditë, të shëtisim të pushojnë.
Kur parqet me gjelbërim, anë e kënd të lulëzojnë.
Dhe fëmijët do të luajnë, lulishteve mes mrekullisë.
Kollotumba përmbi bar, duke u bërë edhe pis.
Të gjithë bashkë do gëzojnë, kur t’kërcejnë me litar.
Shkopa cingëlin të qëllojnë, në hapsirat plot me bar.
Duke qeshur do të rriten, duke luajtur do mësojnë.
Ndoshta gjunjtë do t’i vriten, me natyrën të bashkëjetojnë.
/QendraPress/