Çaste poetike me poeten:-Greta Kadare TETA

Qelqi i syve

————————

Zakonisht vetja më qëndron pezull,

këtë herë heshtur,

gati më përgjërohet

të mos dëgjoj zhurmën

e mendimeve të mia

që përplasen

nëpër zgavrat e trurit.

Instinkti

e nxjerr një krah

nga nënvetëdija—

vetëm një krah.

S’e di pse.

Ndoshta do të shtrydhë

nervat e mia

pa i dëmtuar,

veç për t’i bërë

të heshtin.

Do të doja t’i thyeja sytë e mi tani,

por duhet t’i ruaj.

Qelqi i syve

po pikon një lëndë të ngrohtë,

po më pëlqen ta pi.

Sot është e diel.

Ta mbaj mend.

/QendraPress/