Fryma poetike e së mërkurës me poeten,-Natyra MAVRAJ

Shtator
———————–
Kur era e lehtë nis të prekë çdo fytyrë,
dielli fillon të zbehet ngadalë,
mbrëmjet freskohen,
qytetet bien në heshtje e në habi…
Te secili shoh nostalgjinë,
nostalgjinë që të kthen pas,
te ditët që nuk e dije se do të të mungonin,
te njerëzit që dikur ishin pranë.
Gjethet që bien nuk janë veç gjethe…
janë copëza kohe, kujtime,
ëndrra të lëna përgjysmë,
dëshira të harruara, aventura,
të qeshura,
adrenalinë e çaste që nuk përsëriten,
dashuri e përqafime,
biseda të gjata e net pa gjumë,
që largohen ngadalë,
pa zhurmë,
por mbeten thellë në kujtesë.
A thua për këtë arsye shtatori
dhemb me aq shije dhe kaq bukur?
Shtator, ti nuk vjen vetëm si muaj…
Ti vjen si një valixhe e vjetër,
ku mbështillen kujtimet,
rrugëtimet tona,
ëndrrat që i lamë pas,
dhe gjithçka që koha nuk mundi ta marrë.
E ndoshta, në çdo gjethe që bie,
ne shohim nga pak veten tonë…
atë që ishim,
atë që përjetuam dhe atë që
nuk do të kthehet më.
/QendraPress/