Fryma poetike e së dielës me poeten;-Valbona HOTI

Me Ngjyrat e Mia

——————————-

Nëse botës i mungojnë ngjyrat,

unë nuk pres pranverën t’i sjellë.

I nxjerr nga shpirti im,

aty ku stuhitë kanë mësuar të lulëzojnë.

E ngjyros qiellin me shpresë,

tokën me durim,

njerëzit me dashuri,

edhe kur më kthejnë vetëm heshtje.

Le të zbehen stinët,

le të veniten lulet,

unë do të mbetem ngjyra

që nuk e zbeh as koha.

Nëse bota humbet buzëqeshjen,

unë do ta vizatoj përsëri.

Nëse humbet besimin,

do ta mbjell me duart e mia.

Kur qielli mbulohet me re,

zemra ime lind agime.

Kur rrugët mbushen me hije,

unë bëhem dritë.

Nga lotët krijoj lumenj shprese,

nga plagët ndërtoj krahë,

nga rrëzimet ngre maja,

ku ëndrrat nuk vdesin kurrë.

Nuk më tremb errësira.

Ajo është vetëm një hije e zbrazët

që pret guximin tim.

Nuk dua një botë të përkryer.

Dua një botë që beson

se edhe një shpirt i vetëm

mund ta ndryshojë ngjyrën e horizontit.

Unë nuk kaloj nëpër botë vetëm për të jetuar.

Kaloj për të lënë gjurmë.

Dhe gjurmët e mia

kanë ngjyrën e dritës.

/QendraPress/