Fryma poetike e së dielës me poeten;-Teuta BIÇAKU

Xhepat

———————–

Të vegjël a të mëdhenj

të mbufatur apo të zbrazët,

të dukshëm a të fshehtë,

të sofistikuar apo të thjeshtë,

të larë a të shkarravitur,

të hekurosur a të zhubravitur

Me…

kopsa a zinxhirë,

xhingla naziqe a trëndafilë,

qepje tegel a fiston,

formë ovale a katror,

cohë të ashpër a të butë

thurje saten apo me push.

Pa…

formë a anësi,

drejtim a rregullsi,

perçina a togëza,

fjongo a mballoma,

njolla lyre a vrima,

mbërthecka a temina.

Mbajnë…

duar, kapëse letre a çelësa,

facoleta, thërrime a pineska,

llastik flokësh a karficë,

gur fals unaze a safir,

trëndafil të tharë padashje harruar,

monedha që rastësisht mbeten në duar.

Hanë…

kokrriza rëre a grimca pluhuri,

polen lulesh a grimcëza druri,

grimca thonjsh nga dhëmbë ngrënë,

krahëza fluturash në grackë rënë,

kartëmonedha harruar aty prej kohësh,

grimca kripe mbetur prej lotësh.

Fshehin…

thonj të ngrënë e të pakuruar,

bishta cigaresh nervash thërmuar,

të kuq buzësh fshehur vënë,

fije flokësh nëpër gishta rënë,

dy rreshta fjalësh në letër shkruar,

një numër telefoni akoma pa regjistruar.

një vrimë në rrobë që s’duhet zbuluar,

një gisht mesi a dy gishta kryqëzuar.

Xhepa për rrobat.

Xhepa për orenditë.

Xhepa për zemrën.

Xhepa dhe për sytë.

Sa shumë xhepa,

sa shumë stilim.

Sa shumë modë,

sa pak ndijim.

/QendraPress/