Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Jetina BUSHI

Mosmirënjohja…

——————————

Sfilon njeriu në rrugët e jetës,

Me rroba të shtrenjta, me marka e ar,

Por…rroba më e keqe e së vërtetës,

Është mosmirënjohja që mban si krenar.

Ajo nuk ngroh, as pamje nuk të fal,

Është thjesht një veshje prej akulli e balte,

Harron dorën që të ngriti mbi mal,

Kur ishe rrëzuar e luteshe lartë…

O ves i poshtër që shpirtin ma gërren,

Që mikun e kthen në të huaj pa emër,

Asgjë… nuk të mbetet, asgjë nuk vlen,

Kur mban një pëlhurë kaq të ftohtë në zemër.

Ndaj zhvishe atë petk që ty të shëmton,

Dhe bëji dhuratë vetes pak dritë,

Se bota pa ty shumë mirë jeton,

Po ti pa mirënjohjen, po vdes çdo ditë.

Mba veshur veç shpresën, e fjalën “Faleminderit”,

Ajo është rroba që kurrë nuk vjetrohet,

Se drita e syrit dhe vlera e njeriut,

Te zemra që njeh të mirën, tregohet.

/QendraPress/