Çaste poetike me poetin;-Fatmir TERZIU

POEZIA IME
———————-
Nisa të shkruaj, një varg me dedikim,
por fjala m’u lag nga shiu në dritare,
më erdhi një mall, si një përqafim,
zemra m’u bë papritur më e madhe.
Nisa të shkruaj për një sy të largët,
që s’e di nëse më sheh, rri e pres,
për një buzëqeshje mbetur e athët,
që edhe në heshtje di të më ndezë.
Pastaj mbi xham trokiti një breshër,
kujri e madhe e një dimri të strukur,
dhe unë e lashë penën mbi letër,
se rrebeshi dinte të fliste më bukur.
Ai fliste për syrin që mbeti në dritare,
për hapin që humbi diku në rrugë,
për dy njerëz që u skicuan si tipare,
dhe pastaj u fshinë pa bërë zhurmë.
Nisa të shkruaj, por vargu u ndal,
kur emri yt më erdhi ndër mend,
ka dashuri që nuk kërkon të fal,
mjafton një shi dhe ajo të çmend.
Prandaj, një ditë ndodh të bie shi
dhe ndien dikë pranë pa e parë,
mos e mbyll dritaren, lëre si sy
mund të jetë poezia ime e bardhë.
Dhe nëse një pikë të prek mbi buzë,
mos e fshi… lëre të rrëshqasë ngadalë,
ndoshta është një varg që mbeti prush,
ndoshta është puthja që mbeti në fjalë.
/QendraPress/