Çaste poetike me poeten;-Mimoza ÇOBO

DHIMBJEN E BOTËS MBAN NË CEPAT E SYVE
————————————————————
S’je kështjellë guri, por e tillë je cilësuar,
rrënjë qumështore ke thellë në gjak,
ke burimin e bardhë, ku ka gurgulluar
gjithë universi, me gjallesat përqark…
Shushurimën e mëmësisë ke në gjak,
simfoni e jetës rrjedh nga trupi yt i lashtë,
në Luginën e Vdekjes rrënjët e jetës forcon,
bëhesh rrap shekullor, me foshnjën në gjoks.
Në çastin kur jeta ngjizet, si një pikël vese,
ti e përkund atë në djepin e mëngjeseve.
Dhimbjet që duron kanë vesën e jetësisë,
se ti, o grua, je palca në eshtrën e gjithësisë.
Brenda teje fëshfërin flladi i jetës tokësore,
përkundet djepi i kohërave me engjëj të dëlirë,
gjelbëron pema e jetës, me degë shekullore,
që ushqehet me trëndafilin qumështor të gjirit.
Sepse Zoti të bëri, si nereida e pavdekshme Tetis,
të la në duar fatin e njerëzimit e të gjithësisë.
Ndaj ke hedhur rrënjë nëpër livadhe e pyje,
të mbash lotin e dhimbjes së botës në cepat e syve.
/QendraPress/