Fryma poetike e së mërkurës me poetin;-Sahit F. OSMANI

NËN HIRIN E GJETHEVE
——————————-
Ajrin e vjeshtës s’e çajnë dot gjethet;
nën pëshpëritjen mashtruese të vdekjes,
të mpakura në shuarjen e tyre të ngadaltë,
ikin tinëz drejt shtratit të harruar të jetës.
Në palcën e heshtjes përpëlitet një kujtim,
koha bluan ëndrrat në mokrën e saj të verbër;
mbi dheun e ftohtë, ku shuhen gjurmët e ikjes,
një rrënjë e padukshme thith terrin e pafund.
Dhe kur nata ia mbyll plagën horizontit,
nën hirin e gjetheve diçka ende merr frymë;
as vdekja s’e di ç’buron prej heshtjes së saj —
veç dheu ruan atë që drita s’e njeh.
/QendraPress/