Çaste me poeten:Manushaqe Hoxha Laçi
Bjondinën dashuroj
Gur më gur e preka malin
në çdo gjethe e lule lëndine
Për syzezën më mori malli
gonxhen me aromë trëndeline
Pyesja gjethen, gurin, flladin
hidhja shikimin në kodrina
Kot u lodha kur mora malin
ku të ishte fshehur bjondina?
Vinte nata e zbardhte dita
nëpër shtigje e në zabele
Po kërkoja dorën magjike
të më dhuronte përkëdhelje
Hap pas hapi drejt qytetit
ku lulojnë veç luledele
Seç ndriti një rreze e diellit
ishte vajza flokë kaçurrele
Kërkoj syrin të shkrijë syrin
e dora-dorën ngrohtë të prekë
Shuhem e ndizem bashkë me yllin
bëhem zjarr e bëhem ortek
Bëhem lumë që derdhet nê det
e ujvarë ku degëzon Drini
Bëhem lypës e bëhem mbret
për aromën tënde moj lule blini
Bëhem valë që e prek bregun
e shkumë dallge shkumëzoj
Bëhem hënë të ndiçoj shtegun
shkëmb bëhem kur dashuroj!
18. 10. 2020