Çaste poetike me poeten;- Age Bilani LUKA

LUTJE PËR PAQE
————————
E kam një lutje për Ty,
o Zoti im, o Perëndi!
Më jep një çast mbretërie,
globit t’i bëj disa ndryshime.
Që të pushojnë krismat e armëve,
t’u thahen lotët nga sytë nënave,
të largohet frika nga njerëzimi,
të dëgjohet kënga, jo vajtimi.
Të gjithë fëmijët anembanë botës,
të mos zgjohen me krisma lufte,
me këngë zogjsh ta zgjojnë agimin,
të jetojnë të lumtur, jo me trishtimin.
Ndriçojua mendjet, o Zoti im,
ura paqeje kudo të ndërtojmë,
krismat e armëve të shuhen globit tim,
dhe lumenjtë e gjakut të shterojnë.
Ura paqeje le të ngremë,
mure ndarjeje të mos ketë,
se çdo komb e kupton këtë gjuhë,
e për paqe luten të gjitha fetë.
Le të pushojë lufta, të mos ketë vrasje,
jetën ta mbushim me mirësi,
të ndërtojmë kudo lulishte e parqe,
që fëmijët të kenë të ardhme e lumturi.
Le të lulëzojë bota si pranvera,
me dashuri të mbushet çdo zemër,
paqja kurora e njerëzimit qoftë kurdoherë,
e lufta,kujtim i largët, më i harruari emër
/QendraPress/