Çaste poetike me poeten;- Remzie Raci REXHBOGAJ

MË ERDHE NË ËNDËRR ERNA
———————————–
Mbrëmë më erdhe në ëndërr
Erna
Kuvenduam në heshtje
Me atë gjuhë që e kuptojnë
Vetëm zemrat
Që nuk pushojnë
Së dashuruari e së malluari
Sot ndihem sikur jam aty
Ku endet mendja ime
Dhe gjysma e shpirtit tim
Jo gjithmonë jetoj
Në botën ku ndodhet trupi
Shpesh shpirti im fluturon atje ku je Ti
Sot jam në lëndinën tënde
Bashkë me fluturat shumëngjyrëshe
Vallëzojmë mbi kokën tënde
Çmallemi, qeshim
E këndojmë si dikur
Kur koha nuk njihte ndarje
Dhe loti nuk e kishte gjetur ende
Rrugën drejt syve tanë
Ah, kjo dhimbje që më shoqëron
Çdo ditë
Nuk do të duhej të ishte
Pjesë e jetës sime
Ashtu siç nuk do të duhej
Të ishte e jotja
Ikja e parakohshme nga kjo botë
Disa plagë nuk i shëron koha
Ajo vetëm na mëson t’i mbajmë
Me dinjitet
Kohët e fundit e ndiej
Edhe më shumë mungesën tënde
Çdo kujtim zgjohet më i gjallë
Çdo ëndërr më afron pranë teje
Çdo mëngjes më kujton
Se dashuria nuk vdes kurrë
Ajo vazhdon të jetojë në mall
Në kujtime dhe në lutjet
Që ngrihen drejt qiellit
Ti mbetesh drita ime e pashuar
Kujtimi im më i shtrenjtë
Dhe ëndrra që vjen
Për të më dhënë forcë
Të vazhdoj jetën me zemrën plot mall
Por edhe me mirënjohje
Që të pata pjesë të saj.
/QendraPress/