Çaste poetike me poeten;-Arbana ARBA

Mos ma trishto vjeshtën

——————————-

Mos ma trishto vjeshtën.

Është vjeshta ime,

ti pohon me kokë:

— Është edhe e imja.

Buzëqesh këndellësisht,

ia kundroj pa turp hiret,

tek nuhas lakuriqësinë e saj,

sa zemërohem aq shumë

kur ditët i loton pa pushim

e harrojnë të gëzojnë

diellin e ngrohtë,

të fshehur mbas reve.

Mos e shto kripën në syrin e saj,

boll vajton në ngashërima

për ditët përvëluese të mallit,

që nuk i shpëtuan dot

dallgës shkatërruese të këtij cunami.

Të lutem,

mos ma trishto vjeshtën time,

se është dhe vjeshta jote.

Ma puth me afshin e djalit,

e fjalët më të buta,

si shtretër gjethesh fluturuese,

shtroji në prehërin e kësaj vashëze.

/QendraPress/