Çaste poetike me poeten;-Arjana Fetahu GABA

Çamëri me nure, Çamëri me derte

———————————————

Çamëri me nure, Çamëri me derte,

Në gjithë jetën time, a do të ketë një ditë,

Kur të vij tek ty, me të gjithë me vete,

Dhe ti vendos vetë ku I kam kufijtë?.

Shtëpitë të janë rrënuar, kthyer në haur,

Ndër ferra fshehur toka nis e më tregon,

Në qiell vërtiten sorrat, por jo imi flamur,

Shqiponja akoma me vaje lëngon.

Rrënjët e ullinjëve janë familja ime,

Ato din të flasin një shqipe si unë

Kanë parë genocidin kundra etërve të mi,

Si i shporrën në flak e me dhunë.

Foshnjat I kanë parë të qanin lebetitur ,

Tek u vdisnin nënave hipur mbi shpinë,

Portrete të përgjakura vulosur nëpër trungje,

Ato që tregojnë me lot historinë.

Çamëri me nure, Çamëri me derte,

Falmë që s’kam fuqi, pët ty të përmbys botën,

S’mund të gjej derman ngado që të vete,

Kur mbi preherin tënd s’mund të vë dot kokën.

/QendraPress/