Çaste poetike me poetin;-Rexhep HOTI

Vaji brendshëm

————————

Qaj në vete

dhe bota nuk e di.

Ajo vazhdon rrugëtimin e saj

mbi shinat e dritës,

me qiellin e hapur përpara

dhe me lulet që çelin

në anën tjetër të harrimit.

Asgjë nuk ndalet.

As ora,

as era,

as zogjtë që marrin kaltërsinë,

sikur qielli të mos ketë humbur kurrë askënd.

Vetëm unë

mbaj brenda vetes

një vend ku drita nuk hyn.

Dhimbja ime

nuk kërkon shërim.

Ajo nuk është plagë

që koha ta mbyllë.

Është një prerje

që më mban gjallë,

si një brisk

që ka harruar

të dalë nga mishi.

Dhe ashtu, i etur,

vazhdon të zhytet në gjak.

Ndonjëherë,

kur nata e largon botën mënjanë

aq sa mund ta dëgjoj veten,

më duket

se yjet dridhen larg,

jo për mua,

por sepse edhe qielli

nuk mund ta mbajë

gjithë atë heshtje

që bie prej vajit tim.

Dhe atëherë e kuptoj:

brenda çdo dridhjeje

ka mbetur një pikë zjarri,

si në kristalin

që ruan në thellësinë e vet

flakën e çastit

kur u bë.

Askush nuk e sheh.

Ai shkëlqim

është vaji im,

lot të ngrirë

në kristalet e heshtjes,

si dhimbja hyjnore që nuk qan.

Dhe ti nuk e di

nga ç’errësirë vjen shkëlqimi.

Ndaj nuk e ndien vajin tim.

Nuk e di!

Gjysma ime është varrosur në pragun tënd.

Ti po kthehet ta ulë kokën

dhe në zemër e ka vënë një derë

për ta varur emrin,

Zonja e centralistit.

Dhe ky nuk është mëkat!

E ngritur me agimet e pabesisë,

ti shpëton t’i vrasësh rrahjet midis nesh.

Dhe unë mbetem jetim

në tingujt e këmbanës;

i luhatur prej dridhjes metalike

me litarin në fyt.

Vaji im pikon në atë thirrje biblike,

si një gur

që nuk gjen varr.

Nëpër rrugët e natës

kalon një kortezh pa arkivol,

dhe vetëm unë e di

çfarë po mbartnin

ata ustallarë!

Pëlhura e zezë e mbrëmjes

zbret mbi dritare,

dhe nata, me gishtat e saj të verbër,

e mbulon një emër

që ende merr frymë.

Çfarë varroset sonte

atje në periferi

nuk ka trup;

ka vetëm një rrahje

që nuk pranon të bëhet heshtje.

Dhe larg,

mbi qiellin e zi,

një yll çahet pa zë;

Që andej

bie një dritë e hollë

mbi varrin pa kufomë.

Ndoshta edhe ai

e ka njohur

vajin tim.

Unë qaj edhe pa frymë!

/QendraPress/