Fryma poetike e së dielës me poetin;-Fatmir TERZIU

Rruga e Kasinos

——————————————–

Rruga e Kasinos?! A të shpinte vetëm në Tiranë?!

Pas ngjitjes, malore sa hyje në Shijon

kuptoje se kjo rrugë ishte edhe refleksive.

Një ngjitje,

një kacafytje,

një shije!

Ajo ana tjetër që mendja ta kërkon

ndalesën pranë një kishe,

të rallë

aty ku gjatë Luftës së Dytë Botërore

u strehuan edhe të vdekur, edhe të gjallë.

Në lutje Perëndie,

poshtë bombardimeve dhe plumbave,

me pak fjalë

kësaj udhe u ka qëlluar të kalojnë pa vetëdije

edhe të plagosur që shërruan mjaft plagë.

Por në kodrat e saj me ullinj duke u ngjitur më lart

kanë ndaluar jo pak çifte për ndonjë rast.

Rruga e Kasinos nuk kishte të bënte me fashistët,

edhe pse e projektoi një inxhinier italian

ajo kishte dhe çesmen ku uji i saj pastronte ndonjë të pisët.

Kishte dhe një lapidar

ku partizanët e Enverit kishin shkruar se

e kishin çliruar atë anë

(i kishin shpëtuar banorët prej tmerrit)

e më pas aty në majë

një natë të tërë u gdhend dhe u ngul thellë në tokë

një kryq i madh

ndoshta pa e ditur se pas nëntëdhjetës afër një prilli

aty do të vritej edhe një matjan me grekun në hall

i quajtur Flamur Pisli.

Rruga e Kasinos ka mjaft histori të tabanit

ka pyllin e vogël të qershive Peshtreshit,

ndanë

që u mboll nga nxënësit vullnetarë të Elbasanit,

tutje ku gjarpëronte për në Tiranë.

Diku ku dheu rrëshqiste ishin mbjedh akacje anë më anë,

e aty në atë vend fill

rruga mori një tjetër kuptim orfan,

makinat ndalonin papushim, thashëthemet nisnin trill.

Por tej të gjitha risive kësi trillesh,

pas nëntëdhjetës kur i ‘lejoi’ demokracia, politika, edhe feja,

pas dhjetra e dhjetra vitesh

u bënë një destinacion i preferuar për çiftet e reja.

Në atë pikë në fillim të verës kur akacija vinte erë,

(larg nga plehërat)

kohërat ndryshonin si gjethe

para nëntëdhjetës skodat, xhipat, saurrelat

e të gjitha ngjyrave ndalonin për vetvete,

thuhej se ishin bërë WC për shoferrat.

Të tjerë tregonin tortura, dhe lidhje sigurimsash,

në ndonjë rast evaziv

(kujdes thotë taksisti: komunizmi në Shqipëri ishte agresiv),

dhe të tjerë që shkundeshin duke bërë dashuri tek ferrat

krijonin përralla me një gjelbërim me hije të pyllit të akacies

(filluan aferat!).

Si udhëtar kam kaluar disa herë në atë rrugë të vjetër,

herë me makinë, e herë me autobuz, e herë me veten time,

kam shijuar me sy, kam hedhur në letër,

jo thjesht për hir të kësaj rime,

mjaft dritëhije nga ajo kohë patjetër

nëpër të cilat kaluan të gjitha enigmat e rinisë sime.

Punova mësues në anë të kësaj rruge,

diku në të djathtë të Kilometrit Njëzetë e Nëntë

por ato vite ishin vetëm rendje pas pune

Rruga e Kasinos e ndihte hapin e rrëndë

dhe ndryshimin që oshëtinte në Kryeqytet pas një furtune.

Por sa vjen e bëhet më e harruar,

ajo kohë, ajo lodhje, ajo ëndërr, eh, dreq o dreq pune,

si ecja e një vajzë shkolle në aradhën e ushtarëve të blinduar.

Më kujtohet njeriu që vrapoi me mushkën e ngarkuar me bukë

Rrugës në Bodin, pyeti me gjithë frymën e tij të lirë:

“A do të bëhet më mirë”?

Ishte fillimi i viteve nëntëdhjetë,

jeta ishte me sytë tek buka me shumë shqetësime,

në popull kishte zbritur vetë dufi,

kursehej çdo thërrime,

ka bukë për tre ditë, kishte thënë Ylli Bufi.

Atë ditë udhëtoja për në Kryeqytet,

Taksia ishte e lodhur, e shoferi fliste me veten e vetë

ky shqetësim është edhe në qytet,

ama edhe në fshat,

e shiko, pa shiko kush është me fat,

dhe syri i tij iku shigjetë tek Pylli i Akacjeve pa frikë

një nga shqetësimet më të mëdha

është të gjesh aty, more djalë, një parking.

Jam me prostatë e gjërrat më janë trazuar

unë e dëgjoja se kuptoja aq mirë

ai më pa si të hutuar, ore dil nga taksia nëse ke për të shurruar,

dhe veshët e mi kumbuan,

në baltë në mes të pyllit … Pritëm, por çiftet nuk nxituan.

Në anën tjetër poshtë grushteve

 konkrete të rezistencës kundër fashizmit

kishim përkëdhelje dhe britma të rënda

dhe duke u puthur, lexoja në

 Lapidarin përballë lavdet e komunizmit,

nuk kuptoja më asnjë fjalë,

iknim duke u tkurrur,

duke pritur për vendin tonë në pyllin memorial,

ku pas çdo ngritje zëri kishte një kulm,

me ngasjen e irrituar duke shkuar përpara në sulm.

Nuk mendoj se Rruga e Kasinos

kishte të bënte me këtë diferencë masive,

as karakteri i pyllit, secili ishte një i humbur

në pyll pa e kuptuar me fjalë

një gjytrim shekulli më parë.

Fatmir Terziu

/QendraPress/