Çaste poetike me poeten;- Dhurata  Ndoni -CELA

UNË GRUAJA…

——————————-

Unë jam gjenezë;

embrioni i lindur në barkun

e dashurisë,

pafajësia që botën e lidhi

me kërthizë.

Jam vajza e tokës dhe diellit.

Rrënjët, flasin në heshtje.

Gjaku, ka erë trashëgimie.

Trupi, skulpturë guri e balte

të pjekur.

Unë nuk jam e thyer,

jam formuar nga gjithçka

që më ka prekur.

Në duar, ah në duar !

Mbaj pelenat e foshnjës,

shpresën, të ardhmen e botës.

Në gjinj mbaj qumështin

e jetës.

Në gjuhë, majën e heshtës.

Zëri im është erë që kalon

mes dritës;

zgjon edhe atë që duket se

ka fjetur,

dhe ngre nga heshtja çdo

ëndërr të tretur.

Jam EVA e brinjës së ADAMIT.

Kam fytyrën e Afërditës.

Zili më kanë dhe vetë perënditë.

Përkulen para meje mbretëritë…—

/QendraPress/