Çaste poetike me poeten:-Donika Stasa DOMI

Mos ik
————————
Mos shko nëpër ato shtigje
ku tretet edhe udha e dritës,
se edhe nëse të kërkoj një ditë,
diku do të ketë mbuluar
hija e harrimit.
Dhe në iksh nëpër natë
e gjurmët t’i fshehësh
nëpër palat e mjegullave,
asnjë yll s’do ta ndriçojë errësirën
që kapet si ventuzë
edhe në skutat më të thella të shpirtit.
Mos ik!
E stinët të mi marrësh me vete.
Nuk më duhet vetëm vjeshta e tretë,
ajo që m’kujton copëra të grisura
nga ditaret e jetës,
që u shkundën si gjethe nëntori
e u fshinë përgjithmonë.
Dashuria,
një pikturë me fytyrën e diellit,
mijëra rreze ia kryqëzojnë shpirtin
e ndezin gjuhë zjarresh
ku lindin vullkanet.
Mos ik,
se mungesa do të veshë
të hirtën e muzgut
e agimet
do të ngurrojnë të zbresin dritë.
/QendraPress/