Çaste poetike me poeten;-Miranda KABASHI

LARGËSIA
————————
Ajo u rrit si një lule në një atdhe me male,
në mes të dimrit, ulërimën e ujqërve dëgjonte.
Fati i saj kapërceu dete dhe oqeane,
dhe çdo ditë për vendin e saj ëndërronte.
Atje ku pinte ujë kristal, ku del burimi,
e ecte livadheve, meditonte për natyrën.
Atje ku dëgjonte blegërima e zogj si Naimi,
kur ajri i freskët i përkëdhelte sytë dhe fytyrën.
Mali i lartë, i rëndë si një mbret i heshtur,
mjegulla si mjeker magjike i varej në shtat.
Dëbora mendimet mbuluar, ja mbante fshehur
misteret e kohërave, endeshin qetë në fshat.
Njerëzit flasin se nata është e frikshme,
por vajza mendon: “Sa keq, ata gabojnë”,
se malet puthin yjet me dritën e shndritshme,
perënditë me sytë e diellit më shumë i ndriçojnë.
~ Miranda Kabashi
/QendraPress/