Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

QELËSI

——————-

Qelësin e portës, mos ia jep askujt,

jo pse bota është vetëm ujk, por sepse njeriu,

më parë humb veten e pastaj shtëpinë.

Oborri nuk është baltë e rrethuar me gurë.

Oborri është kujtesa, që rri zgjuar natën

si një nënë pranë etheve të fëmijës.

Është hija e gjyshit, mbështetur në murin e vjetër,

duke numëruar heshtjet, më shumë se vitet.

Ka njerëz, që hyjnë në jetën tënde me buzëqeshje,

dhe dalin prej saj, duke marrë një copë identiteti

në xhepin e palltos.

Vjedhja më e madhe, nuk është toka,

është bindja, se nuk je më zot i vetes.

Prandaj portat kanë çelësa.

Jo për të mbyllur botën jashtë, por për të kujtuar,

se kufijtë e shpirtit, janë të shenjtë.

Fqinji grabitqar, nuk lind gjithmonë matanë gardhit;

nganjëherë rritet brenda frikës sate,

aty ku ti mësohesh, të kërkosh leje

për të ekzistuar.

Dhe historia, ajo kasape e vjetër me duar diplomatësh,

ta pret trupin në harta, pastaj të mëson, si të jetosh pa gjymtyrë.

Të quan paqe, atë që në të vërtetë, është amputim i kujtesës.

Ti sheh bijtë e tu, duke ikur si zogj dimri,

me valixhe plot mbiemra të huaj, dhe kupton se mërgimi,

është mënyra më elegante, që përdor shekulli

për të vrarë një komb pa gjak.

Por njeriu, nuk vdes kur humb tokën.

Vdes, kur fillon të ndihet mysafir, në shpirtin e vet.

Prandaj shtrëngoje grushtin,

jo kundër botës, por kundër harresës.

Sepse harresa, është pushtuesi më i durueshëm.

Mos ua fal çelësin e portës

atyre që ta admirojnë shtëpinë

por urrejnë themelet e saj.

Ka dashuri, që afrohet si dritë,

por hyn si mjegull, dhe ta mbulon emrin.

Ti je bir i dheut, që ka mësuar të mbijetojë

duke fshehur diellin nën plagë.

Dhe çdo plagë që mban, është një dritare

ku historia ende merr frymë.

Ndaj rri zgjuar.

Sepse shtëpia nuk mbahet me mure.

Shtëpia mbahet, nga njerëzit që nuk e dorëzojnë çelësin

as kur mbeten vetëm, me veten

dhe hijen e flamurit në mur.

2026

/QendraPress/