FILOZOFIA POLITIKE E UKSHIN HOTIT DIKUR, DHE ÇËSHTJA SHQIPTARE SOT NË BALLKAN-Shkruan; Gëzim AJGERAJ,shkrimtar dhe analistë

Një studim filozofik: krahasueshmëri dhe vegim, tridhjetë vjet pas

libri si pasqyrë e kohës

Libri; „Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare“ e Ukshin Hotit, botuar në Tiranë nga shtëpia botuese Rozafa më 1995, nuk është thjesht koleksion artikujsh të shkruar mes viteve 1990 dhe 1991, në Lubjanë, në Krushë të Madhe, në qelitë e hekurave të një njeriu që sapo kishte dalë nga burgu politik, por një pasqyrë e vendosur përballë historisë shqiptare, në të cilën çdo brez rrezikon të shohë veten. Kur Hoti shkruante „Kosova dhe Evropa“, e dinte se po shkruante për një kohë që s’kishte ardhur ende. Sot, tridhjetë e pesë vjet më vonë, kjo kohë ka ardhur, jo ashtu siç e parashikoi ai në çdo hollësi, por mjaftueshëm afër sa citatet e tij të tingëllojnë si letra të hapura vonë.

Ky studim nuk është biografi, as kronikë politike. Është një përpjekje filozofike për ta vënë mendimin e Hotit në dialog me kohën tonë: të shohim ku ishim dje, si e shihte ai politikën dhe zhvillimet, dhe ku jemi sot, në një Ballkan që flet gjuhën e integrimit evropian, por që mban akoma, si plagë të vjetra nën rroba të reja, të njëjtat pyetje që Hoti i shtronte tridhjetë vjet më parë: çka është shteti, çka është kombi, dhe a mund të jetojnë të lirë brenda njëri-tjetrit.

Politika si strukturë e qenies; nga Aristoteli te Ukshin Hoti

Ukshin Hoti e fillon shqyrtimin e vet jo me Ballkanin, po me Greqinë e lashtë, sepse e di se çdo bisedë mbi politikën shqiptare që nuk e njeh themelin e saj filozofik rrezikon të mbetet zhurmë e kohës. Ai kujton termin e Aristotelit „zoon politikon“ – kafshën politike. për të treguar se qenia njerëzore, në kuptimin më të vjetër të fjalës, nuk mund të ndahet nga bashkësia e saj politike pa u gjymtuar. Etika, politika dhe ekonomia ishin, te i lashti grek, një e tërë e pandashme.

„politika, si shkencë, po e humbte kuptimin e vet duke u shndërruar në „mendje instrumentale““ (Ukshin Hoti, „Për një qasje shkencore të politikës në Kosovë“, DEA nr. 4, 1991)

Kjo metaforë e „mendjes instrumentale“ – huazuar dhe rimenduar nga Horkheimer dhe Adorno, është boshti i parë filozofik i librit; politika që bëhet vetëm llogari e ftohtë, e ndarë nga morali, kthehet në armë kundër vetë njeriut që e ka krijuar. Ukshin Hoti e ilustron këtë me Luftën e Gjirit Persik të vitit 1991, por metafora shkon shumë më larg, deri te çdo luftë e sotme ku statistika e viktimave bëhet formulë ushtarake e jo tragjedi njerëzore.

Nga kjo bazë filozofike, Hoti ndërton dallimin mes politikës si „art të së mundshmes“, sipas Makiavelit, dhe politikës si vegim moral, sipas Thomas Morit dhe Utopisë së tij. Politika e parë njeh vetëm pushtetin; e dyta njeh drejtësinë si horizont që s’arrihet kurrë plotësisht, por që duhet kërkuar gjithsesi. Shqiptarët, thotë ai në heshtje mes rreshtave, janë detyruar historikisht të jetojnë nën të parën, ndërkohë që kanë ëndërruar të dytën.

Kombi si abstraksion i gjallë

Pjesa më analitike e librit; „Shteti dhe interesat vitale të kombit“, në dy pjesë, e ndjek mendimin politik perëndimor (Morgenthau, Organski, Stoessinger) dhe atë të proveniencës lindore (leninizmin dhe stalinizmin sovjetik) për të treguar se si të dyja anët e Luftës së Ftohtë, pavarësisht ideologjive të kundërta, ndanin të njëjtën logjikë të fundit; maksimalizimin e fuqisë. Hoti nuk e fsheh admirimin e vet intelektual për analizën e Georg Kennan-it mbi Rusinë, por as nuk lë pa vënë në dukje se çdo teori e madhe globale, sado „universale“ të pretendohet, mbetet gjithnjë instrument i interesit të një kombi të caktuar.

„sistemet e mëdha të mendimit gjithmonë janë globale… mbeten humane për aq sa mund t’i shërbejnë njerëzimit në përgjithësi, e jo vetëm kombeve të veçanta“ (Ukshin Hoti, „Shteti dhe interesat vitale të kombit – II“)

Këtu qëndron një nga metaforat më të holla të librit: kombi si „abstraksion i numrit të individëve“ (siç e përkufizon Morgenthau), por një abstraksion që, sapo bëhet vetëdije e gjallë, kërkon trup — territor, shtet, njohje. Hoti e sheh shqiptarët pikërisht në këtë moment kalimtar: nga populli-abstraksion në komb që kërkon trupin e vet politik.

E vërteta „e kohëshme“: kritika e Hotit ndaj shkencës si instrument pushteti

Një nga fijet më delikate filozofike të librit është ideja e Theodor Adornos mbi „e vërtetën e kohëshme“ – domethënë të vërtetën shkencore jo vetëm zbulohet, po edhe krijohet gjatë procesit historik të njohjes. Hoti e merr këtë ide nga „Dialektika e Iluminizmit“ e Horkheimer-Adornos dhe e zbaton në një shembull konkret që e prek drejtpërdrejt; Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave të fillimit të viteve ’80, të cilin e sheh si akt „vetëdijësimi“ të qëllimshëm, pra si krijim politik i një „te vërtete“ shkencore në shërbim të interesave partikulare të një kombi kundër tjetrit.

„intelekti politik i Serbisë u vu në funksion të interesave partikulare të kombit të vet… e jo në funksion të zgjidhjeve optimale për të gjithë pjesëtarët e federatës“ (Ukshin Hoti, „Për një qasje shkencore të politikës në Kosovë“)

Kjo kritikë nuk është thjesht polemikë historike. Ajo ngre një pyetje metodologjike që mbetet e vlefshme sot: kur institucionet – akademike, mediatike apo ndërkombëtare, flasin në emër të „shkencës“ apo të „normave objektive“, a nuk fshehin ato shpesh, siç e tregonte Hoti, interesa konkretë të fuqishmëve? Filozofia e tij politike, në thelb, është një ushtrim i vazhdueshëm i dyshimit metodik: mos e beso të vërtetën e ofruar gati, kërko interesin që qëndron pas saj.

Politika si art i së mundshmes dhe kufiri i moralit

Ukshin Hoti i kushton vëmendje të veçantë dallimit mes Makiavelit dhe Thomas Morit jo si ushtrim akademik, po si mjet për të gjykuar politikën ballkanike të kohës së vet. Ai përdor shembullin domethënës të mënyrës si shtypi serb e denigroi shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut si akt „kaçaniko-kaçak“, duke e quajtur atë të pamoralshëm për ta zhveshur nga legjitimiteti, teknikë retorike që, sipas Hotit, e shndërron politikën në „art të së mundshmes“ të zhveshur nga çdo lidhje me drejtësinë. Kundër kësaj, ai e vendos idealin e Morit; politika si përpjekje, edhe pse kurrë plotësisht e realizueshme, drejt një gjendjeje më të drejtë.

Ky tension mes „artit të së mundshmes“ dhe idealit moral vazhdon të jetë boshti i çdo debati politik ballkanik edhe sot; a duhet institucionet të veprojnë sipas asaj që është „e mundshme“ në raport të forcave, apo sipas asaj që është „e drejtë“ sipas normave që vetë kanë proklamuar? Vetë procesi i integrimit evropian, me kushtëzimet dhe përjashtimet e tij selektive, e ngre po atë pyetje që Hoti e shtronte ndaj politikës jugosllave: a matet drejtësia me një shkallë të njëjtë për të gjithë, apo shkalla ndryshon sipas fuqisë së atij që gjykohet?

Çështja shqiptare si interes vital; republika si urë, jo si mur

Kumtesa qendrore e librit, „Shqiptarët dhe interesat vitale të kombit“, mbajtur si referat në Akademinë e Shkencave të Kosovës në qershor 1991, e ndërton çështjen shqiptare mbi tre shtresa interesi; të ekzistuarit si komb, të konstituimit si shtet, dhe të bashkimit. Është domethënëse se Ukshin Hoti e vendos bashkimin të tretin, jo të parin, jo sepse e konsideron më pak të rëndësishëm, po sepse e sheh si pikësynim që duhet ardhur nëpër zhvillim e jo nëpër imponim.

„çdo politikë që do të çonte drejt realizimit të qëllimit të tillë mund të cilësohet si politikë gjithëshqiptare“ (Ukshin Hoti, „Shqiptarët dhe interesat vitale të kombit“, 1991)

Ky është, ndoshta, momenti më profetik i librit: Hoti e sheh Republikën e Kosovës, atë të shpallur me Kushtetutën e Kaçanikut më 1990, jo shtetin e sotëm të pavarur, jo si qëllim përfundimtar, po si hallkë e domosdoshme drejt barazisë, e cila vetëm brenda proceseve integruese të Evropës mund të çojë drejt bashkimit të vërtetë kombëtar, pa e rrezikuar paqen dhe pa u shndërruar në armë të huaj.

Metafora e tij e preferuar këtu është ajo e „autobusit“ të Stanley Hoffmann-it: bota si makinë me shofer të pasigurt (ekonomia globale), me udhëtarë të shqetësuar (shtetet) dhe fëmijë që duan të prekin timonin (popujt). Kosova, në këtë figurë, ishte njëri prej atyre fëmijëve që donte të mësonte të drejtonte vetë, jo të hidhej nga dritarja.

Vasha dhe republika; etika përballë teorisë

Në një nga pasazhet më prekëse, Hoti e vë përballë tërë ftohtësinë teorike të shkencës politike një poezi të një vajze të re, botuar në gazetën DEA, e cila shkruante se, po të vdiste e re, të mos e vajtonte njeri. Hoti nuk e lë këtë vetëm si ilustrim letrar, e përdor si kritikë ndaj çdo teorie që harron njeriun konkret pas abstraksionit të „interesit kombëtar“.

„s’ka asnjë teori me të cilën do të mund të arsyetoheshin fjalët e tilla të vashës… Andaj, le të jetojë vasha dhe le të jetojë Republika!“ (Ukshin Hoti, „Shteti dhe interesat vitale te kombit – I“, „Operacionalizimi i teorisë – shembulli i vashës“)

Ky është stili i vërtetë i Hotit; filozof i shkollës gjermane e franceze, i armatosur me citate nga Weber, Horkheimer, Adorno, Aspaturian, por që nuk harron kurrë se çdo teori politike, në fund, matet me jetën e një vajze të vetme.

Tridhjetë vjet pas; ku e la Ukshin Hoti Kosovën dhe ku e gjejmë sot

Ukshin Hoti u zhduk në rrethana ende të pashpjeguara në shtator të vitit 1999, disa ditë pasi u lirua nga burgu, një fund që, në mënyrë të hidhur, e bën vetë jetën e tij metaforë të çështjes që studioi; një njeri që u zhduk pikërisht në kufirin mes së kaluarës dhe së ardhmes që kishte parashikuar. Sot, çështja shqiptare që ai e la si projekt filozofik, ka marrë trajta konkrete që ai vetëm i sugjeroi si mundësi.

Republika e Kosovës, që Hoti e shihte si „realizim i njërit prej interesave vitale të kombit“ por jo si zgjidhje përfundimtare, e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Sot, në korrik 2026, ajo është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe njihet nga rreth 117 shtete, por jo nga pesë vende të vetë Bashkimit Evropian, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro, një mospajtim që në Parlamentin Evropian vazhdon të përmendet si pengesë për „avancimin e barabartë të Kosovës me shtetet e tjera kandidate“. Kjo është, në gjuhën e Hotit, pikërisht ajo „pozitë dubioze“ mes njohjes dhe mosnjohjes që ai e njihte tashmë te vetë statusi kushtetues i Kosovës brenda Jugosllavisë së viteve ’74-’81.

Rruga drejt Evropës, që për Hotin ishte horizonti i vetëm brenda të cilit çështja shqiptare mund të zgjidhej pa dhunë, mbetet edhe sot horizont, jo destinacion i arritur. Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por statusi kandidat ende nuk i është dhënë; liberalizimi i vizave u arrit vetëm në janar 2024, pas një pritjeje shumëvjeçare. Institucionet evropiane, në raportet e tyre të vitit 2026, vazhdojnë ta lidhin të ardhmen evropiane të Kosovës me stabilitetin institucional të brendshëm, pikërisht ai lloj „pjekurie politike“ për të cilën Hoti pyeste, tridhjetë e pesë vjet më parë, nëse mund të pritej integrimi në Evropë pa pjekurinë politike të vetë bartësve të tij.

„si mund të pritet integrimi në Europë pa pjekurinë politike të bartësve të këtij integrimi?“ (Ukshin Hoti, „Shqiptarët dhe interesat vitale të kombit“, 1991)

Kjo pyetje, e bërë në kontekstin e burgosjeve politike të viteve ’80, tingëllon sërish e freskët përballë krizës institucionale të Kosovës në 2025-2026: dy palë zgjedhje parlamentare brenda një viti, pamundësia për të zgjedhur president, dhe paralajmërimet e Bashkimit Evropian se vonesat mund të kushtojnë humbjen e dhjetëra milionë eurove nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ndryshe nga koha e Hotit, kur pengesa vinte kryesisht nga jashtë, nga shteti jugosllav që e mohonte vetë ekzistencën e kërkesës kosovare, sot pengesa shpesh vjen nga brenda: nga vetë paaftësia institucionale për të shndërruar sovranitetin e fituar në qeverisje funksionale.

Do të ishte, ndoshta, ironia më e hidhur për Hotin: kombi që luftoi për shtetin e vet ballafaqohet tani me sfidën e vështirë të qeverisjes së atij shteti.

Marrëdhëniet me Serbinë; dialogu si vazhdim i „evropeizimit të interesave“

Ukshin Hoti shkroi, në kontekstin e bashkimit gjerman, se çdo zgjidhje e qëndrueshme kërkon „evropeizimin“ e interesave të palëve, domethënë vendosjen e tyre brenda kornizës më të gjerë evropiane, e jo brenda logjikës së vjetër të dominimit dypalësh. Dialogu i sotëm Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që prej vitit 2011 dhe i formalizuar përmes Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, mund të lexohet si përpjekje e ngadaltë për ta zbatuar pikërisht këtë ide; dy palë që, sipas fjalëve të një zëvendëskryeministri kosovar në qershor 2026, tashmë e njohin njëra-tjetrën „si partner të barabartë“ – një gjuhë krejt e ndryshme nga ajo e viteve ’90, por akoma larg normalizimit të plotë që dialogu synon.

Këtu Hoti do të kishte, me siguri, ngritur po atë pyetje që i shtronte teorive anglo-saksone e franceze të interesit kombëtar: a është kjo evropeizim i njëmendtë, apo thjesht kamuflazh i interesave të vjetra territoriale nën petkun e ri të gjuhës diplomatike? Krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, çështje ende e pazgjidhur plotësisht, dhe vazhdimi i tensioneve në veri të Kosovës tregojnë se „raportet e njëmendëta demokratike“ për të cilat shkruante Hoti — bazuar në barazi e jo në nënshtrim, mbeten projekt në ndërtim e sipër, jo realitet i konsoliduar.

Ballkani si „hapësirë e bombardimit permanent të kundërthënieve“

Një nga formulimet më të fuqishme metaforike të Hotit është përkufizimi i tij i Kosovës si territor që letërsia ndërkombëtare e quan „area of potential crises“, por që sipas tij duhej kuptuar jo si „hapësirë e krizave potenciale“, po si „hapësirë e bombardimit permanent të kundërthënieve“ – vend ku përplasen përherë civilizime, ideologji dhe interesa të huaja.

Kjo figurë mbetet e vlefshme edhe sot, kur Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë skenë ku ndeshen ndikimet e BE-së, të NATO-s, por edhe të aktorëve jo-evropianë që kërkojnë të gjejnë hendeqe në procesin e integrimit.

Ndryshimi themelor mes dje dhe sot është se, ndërkohë që në kohën e Hotit rreziku vinte nga një shtet i vetëm shumëkombësh në shpërbërje e sipër, Jugosllavia – sot rreziku është më i shpërndarë: paqëndrueshmëri institucionale e brendshme, konkurrencë gjeopolitike globale, dhe një proces zgjerimi evropian që lëviz më ngadalë sesa premtimet e tij.

Diaspora: nga numërimi i mërgimtarëve te motori i vendit

Ukshin Hoti i kushton faqe të tëra llogaritjes së saktë të diasporës shqiptare, në Turqi, në Amerikë, në Australi, në Evropën Perëndimore, duke arritur në përfundimin se popullsia shqiptare jashtë kufijve të shtetit-amë është, në përmasë, e krahasueshme me atë brenda tij.

Ai e sheh diasporën si faktor politik të veçantë, por me një kufizim të qartë filozofik: mërgimtarët, sipas tij, nuk mund të jenë „bartës eventualë të një politike gjithëshqiptare“, sepse jetesa e tyre larg atdheut ua ndryshon në mënyrë të pashmangshme perceptimin e interesave të përditshme të popullit që mbetet në vend.

„shqiptarët e diasporës shqiptare, me fjalë të tjera, nuk mund të jenë bartës eventualë të një politike gjithëshqiptare“ (Ukshin Hoti, „Shqiptarët dhe interesat vitale të kombit“, 1991)

Tridhjetë e pesë vjet më vonë, ky vlerësim kërkon rishikim, jo mohim. Diaspora e sotme kosovare dhe shqiptare, e shpërndarë sidomos në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vendet skandinave, nuk është më vetëm rezervë simbolike identiteti, siç ishte pjesërisht në kohën e Hotit, po edhe shtyllë ekonomike konkrete: remitancat e saj përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të produktit të brendshëm bruto të Kosovës, dhe vetë institucionet zyrtare e përmendin rregullisht rolin e mërgatës si „urë lidhëse“ në forumet ekonomike ndërkombëtare.

Paradoksalisht, pikërisht rritja e integrimit evropian, liberalizimi i vizave i vitit 2024, lëvizja e lirë Schengen, e ka forcuar edhe më tej këtë lidhje material mes diasporës dhe atdheut, duke e bërë diasporën jo më thjesht „shpresë morale“, por pjesëmarrëse aktive në ekonominë e brendshme, ashtu si e parashikonte, në një farë mënyre, vetë logjika e integrimit evropian për të cilën shkroi Hoti.

Megjithatë, diaspora e sotme mban në vete edhe një kthesë që Hoti s’e trajtoi drejtpërdrejt: emigrimi i ri, veçanërisht i të rinjve, nuk është më kryesisht rezultat i shtypjes politike siç ishte në vitet ’80, po i pamundësisë ekonomike dhe institucionale për t’u realizuar në vend. Fenomeni i „ikjes së trurit“ – të cilin analistët e sotëm e lidhin drejtpërdrejt me krizat institucionale të viteve 2025-2026, është, në thelb, po ai proces që Hoti e përshkroi te të rinjtë e burgosur të vitit 1981: energji e re, e etur për dituri e perspektivë, që gjendet e pashpjeguar dhe e pa-adresuar nga vetë institucionet e veta.

Interesi ekonomik si themel i heshtur i interesit kombëtar

Ndër elementet më modern të mendimit të Hotit është vëmendja ndaj revolucionit teknologjik të fundviteve ’80, bioshkencat, shkenca mbi materialet, informatika, të cilat ai i sheh si përcaktuese për renditjen e re të fuqive botërore, më shumë sesa arsenali ushtarak klasik.

Ai citon paralajmërimet e analistëve amerikanë për humbjen e epërsisë teknologjike ndaj Japonisë dhe konkludon se çështja shqiptare, për të mos mbetur peng i pazhvillimit, duhet ta vërë veten brenda këtij rrjedhimi global të dijes, e jo vetëm brenda logjikës klasike territoriale.

„mundësitë tona për të kapur hapin e botës së zhvilluar… janë të vogla, por kjo nuk do të thotë se duhet hequr dorë nga përpjekjet maksimale“ (Ukshin Hoti, „Shqiptarët dhe interesat vitale të kombit“, 1991)

Sot, kjo pikë del profetike në mënyrë të veçantë: Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, e ndërton logjikën e tij pikërisht mbi kushtëzimin ekonomik e teknologjik, jo thjesht mbi premtime politike apo territoriale.

Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro nga ky fond, por institucionet evropiane e kanë lidhur qartë shpërndarjen e tyre me përmbushjen e reformave dhe me funksionimin e institucioneve, një lloj „interesi vital“ bashkëkohor që Hoti do ta njihte menjëherë si version të ri të asaj që ai vetë e quajti nevojë për „rivlerësim të vazhdueshëm“ të interesave kombëtare nën trysninë e faktorit teknologjik. Ndryshe nga koha e tij, kur ekonomia mbetej instrument i dorës së dytë pas çështjeve të identitetit e të kufijve, sot ekonomia dhe qeverisja e mirë janë vetë kushti i para-hyrjes në bashkësinë evropiane që ai e shihte si horizont përfundimtar.

Brezi i vitit 1981: burgu si laborator filozofik

Pjesa e dytë e librit; „Viti ’81 dhe proceset e demokracisë“ – del nga përvoja personale e Hotit si i burgosur politik dhe si dëshmitar i drejtpërdrejtë i të rinjve që u dënuan pas demonstratave të vitit 1981. Këtu filozofia zbret nga qielli i teorisë së madhe në qelinë e burgut, dhe pikërisht aty gjendet një nga pasazhet më njerëzore të librit: përshkrimi i të rinjve që lexonin me etje, që fshihnin lapsa nga rojet për të mbajtur shënime, të etur jo për ideologji, po për t’u kuptuar veten dhe shoqërinë që i kishte dënuar.

„prapa etjes së tyre për dituri… nuk qëndronte sindromi i vetafirmimit… po një kureshtje e padurueshme që vazhdimisht e torturonte mendjen dhe shpirtin e tyre“ (Ukshin Hoti, „Viti ’81 dhe proceset e demokracisë“)

Ukshin Hoti e refuzon këtu vlerësimin zyrtar që i quajti demonstratat e 1981-shit „kontrarevolucion“, duke përdorur vetë definicionin juridik-politik të kohës për ta kthyer kundër akuzës: kërkesa për Republikë nuk synonte rrëzimin e rendit shoqëror, po vetëm barazinë brenda tij, prandaj s’mund të quhej kontrarevolucion, sipas vetë përkufizimit zyrtar të nocionit.

Kjo metodë, përdorimi i logjikës së kundërshtarit kundër vetë kundërshtarit, është një nga mjetet më efektive filozofike të librit, dhe një model qëndrimi intelektual që mbetet i vlefshëm sa herë pushteti e vulos disidencën me etiketa më shumë retorike sesa juridike.

Ai vë në dukje gjithashtu heshtjen e inteligjencies së kohës, as politika, as intelektualët humanistë, thotë Hoti, s’iu përgjigjën pyetjeve reale të këtyre të rinjve, të lënë të vetëm mes një bote që u ikte dhe një gjuhe teorike të importuar që s’e shpjegonte fare gjendjen e tyre konkrete.

Kjo kritikë ndaj heshtjes së elitës intelektuale mbetet, si pyetje, e hapur për çdo brez: kush flet sot në emër të atyre që s’kanë zë institucional, të rinjve që sot largohen masivisht nga Kosova dhe rajoni për shkak të papunësisë dhe pasigurisë ekonomike, në një formë tjetër, paqësore, të së njëjtës kërkesë të pashprehur për dinjitet dhe perspektivë?

Ç’mbetet nga vegimi i Hotit; filozofia si busull, jo si hartë

Do të ishte gabim intelektual ta lexonim Ukshin Hotin si profet që „përshkroi saktë“ të ardhmen. Vlera e tij nuk qëndron në parashikim, po në metodë: në atë këmbëngulje filozofike për t’i ndarë gjërat siç janë nga gjërat siç duken, siç bëri me dallimin mes „dështimit“ dhe „fitores“ të komunizmit, ose mes formës organizative dhe përmbajtjes ideologjike të kontestacionit të vitit 1981.

Kjo metodë, të mos e ngatërrosh formën me thelbin, retorikën me interesin real, mbetet aq e domosdoshme sot sa ishte edhe atëherë, kur analizojmë deklaratat e institucioneve evropiane, premtimet e integrimit, apo vetë gjuhën e politikës vendëse.

Metafora që mbyll në mënyrë të natyrshme këtë krahasim është ajo e „dy shalqinjve në një dorë“, që Hoti e përdori për sovjetikët e ngërçosur mes Evropës dhe Azisë, por që sot i shkon në përpikëri edhe vetë Kosovës dhe rajonit: mbajtja njëkohësisht e dy synimeve, integrimi i shpejtë evropian dhe konsolidimi i brendshëm institucional, kërkon një ekuilibër që, siç e dinte mirë Hoti, historia rrallë e fal pa çmim.

Në fund të fundit, çështja që Hoti e la të hapur mbetet ende e hapur: bashkimi, siç e shkroi ai vetë, nuk qëndron te vetë ideali, po te „rrugët për realizimin e këtij qëllimi“. Tridhjetë e pesë vjet më vonë, shqiptarët e kanë shtetin që Hoti e parashikoi si hap të domosdoshëm, por ende po kërkojnë atë „pjekuri politike“ për ta bërë atë shtet themel të vërtetë të bashkimit dhe të integrimit, e jo thjesht stacion të ndërmjetëm në një udhëtim që s’ka mbaruar.

Metafora finale; pylli dhe pemët

Hoti nuk e përdor kurrë vetë këtë figurë, por e gjithë metoda e tij mund të përmblidhet në një metaforë të thjeshtë pylli; teoricienët e mëdhenj që ai i lexon e i citon, nga Morgenthau te Kennan, nga Aspaturian te Organski, e shohin botën si pyll ligjesh të përgjithshme, ku kombet janë thjesht pemë të renditshme sipas madhësisë dhe fuqisë së tyre. Hoti, ndërsa i njeh dhe i respekton këto ligje, insiston gjithnjë të kthehet te pema konkrete, te vasha që shkruan vargje në një gazetë, te i riu që fsheh një laps në burg, te populli i vetëm që „e barti barrën e luftës, të vuajtjeve dhe të gjakosjes“. Kjo lëvizje e vazhdueshme, nga pylli te pema dhe përsëri te pylli, është ndoshta kontributi më origjinal i tij ndaj filozofisë politike shqiptare: një realizëm ndërkombëtar i informuar plotësisht nga teoria e fuqisë, por që kurrë nuk harron se pas çdo shifre e strategjie qëndron një jetë njerëzore konkrete.

Kur sot lexojmë raportet e Brukselit mbi „stabilitetin institucional“ të Kosovës, apo debatet mbi Asociacionin e Komunave Serbe, apo negociatat për Planin e Rritjes, vlen të mbajmë të njëjtën lëvizje të dyfishtë të vështrimit që na e mësoi Hoti: të kuptojmë ligjet e mëdha të interesit e të fuqisë që lëvizin këto procese, por të mos harrojmë kurrë se pas tyre qëndrojnë njerëz konkretë, studentë që duan Erasmus-in e tyre, familje që presin remitancën mujore, zyrtarë që negociojnë nën trysninë e kohës, dhe një popull i tërë që, si te vasha e Hotit, ende pret që dikush t’i thotë: „jeto, dhe le të jetojë edhe republika jote.

Për fund; letra e pambyllur

Libri i Ukshin Hotit lexohet sot si letër e shkruar mes dy kohërash, asaj që po mbaronte (Jugosllavia, bipolariteti, Lufta e Ftohtë) dhe asaj që sapo po fillonte (Evropa e bashkuar, epoka e globalizimit). Ne, lexuesit e vitit 2026, ndodhemi po ashtu mes dy kohërash: asaj të pavarësisë së fituar dhe asaj të integrimit ende të pambaruar.

Filozofia politike e Ukshin Hotit, me tërë peshën e saj citative, nga Aristoteli te Kennan, nga Adorno te Organski, nuk na jep receta të gatshme. Na jep diçka më të vështirë e më të çmuar: shprehinë për të bërë pyetjen e duhur para se të kërkojmë përgjigjen e gatshme.

Dhe, në një kohë kur gjuha politike bëhet gjithnjë e më e shpejtë e më e cekët, ky mbetet trashëgimi filozofik që s’vjetrohet.

Korrik 2026