Çaste poetike me poeten:Mirvete Kabashi LEKU

ATDHEU NË NJË PIKË BOJE

​(Xhevdet Bajrajt)

————————————-

​Kur ta dëbuan trupin,

shpirti të mbeti roje

te vreshtat e Rahovecit.

​Hardhitë e vjetra

e njihnin emrin tënd

më mirë se era

që zbriste kodrave në mbrëmje.

​Kokrra e rrushit piqej në shtator,

si një varg i vonuar,

ndërsa ti nën një qiell tjetër,

vjelje mallin për ta kthyer në poezi.

​Sa herë hapej një fletë e bardhë

Kosova hynte e para,

me pluhurin e rrugëve,

me zërat e nënave,

me hijet që kërkonin emrat e tyre.

​Në anën tjetër të botës

digjej një diell i huaj,

por në gjakun tënd

agonte e njëjta dritë.

​Ti nuk shkruaje thjesht vargje.

​Ti mblidhje copat e atdheut

të shpërndara nëpër kohë

dhe i ngjisje me fjalë.

​Nga një pikë boje

ngrihej një vend i tërë,

mes verës së arshikrisë

me njerëzit e dashurisë,

me kujtimet që nuk pranonin mërgim.

​Kështu lindi ai atdhe tjetër,

jo në hartë, por në letër.

​Një atdhe ku kufijtë nuk ruheshin me armë,

por me kujtesë.

​Dhe sot, kur emri yt kalon nëpër vargje,

duket sikur një zog i vonuar

kthehet nga shtegtimi,

me pak dhe të Rahovecit në krahë

dhe me gjithë mallin e botës

në këngën e tij.

​Sepse, poetët nuk vdesin

atë ditë kur mbyllin sytë.

​Ata vazhdojnë të ecin

mes dy diejve,

duke kërkuar njeriun

brenda njeriut.

/QendraPress/