Çaste poetike me poetin;-Enver N. REXHAJ

Liria me gabime drejtshkrimore

——————————————

Një ditë, në shesh,

një njeri po kërkonte të vërtetën.

E pyetën:

— Çfarë ngjyre ka?

Ai tregoi qiellin.

— Gabim, — i thanë. — Qielli është i yni.

Tregoi detin.

— Edhe deti gënjen, — thanë, — ne kemi dokumente.

Pastaj nxori zemrën nga gjoksi

dhe ua vendosi mbi tavolinë.

Ata e shqyrtuan gjatë,

i matën rrahjet,

i numëruan plagët,

i kontrolluan vulat.

— Nuk është në formatin e duhur, — thanë më në fund.

Dhe e dëbuan nga sheshi.

Turma duartrokiti.

Disa nga bindja,

disa nga frika,

të tjerët sepse duartrokitnin të gjithë.

Një fëmijë pyeti të atin:

— Po nëse ai kishte të drejtë?

I ati ia mbuloi gojën me pëllëmbë.

— Mos pyet gjëra që të lënë pa miq.

Vitet kaluan.

Sheshi u mbush me statuja,

rrugët morën emrat e heronjve,

dhe e vërteta u shpall festë zyrtare.

Atë ditë, të gjithë dolën për ta kremtuar.

Edhe unë dola.

Mbaja një pankartë ku shkruhej:

LIRI!

Por, kur policia më pyeti se çfarë kuptoja me atë fjalë,

e palosa pankartën me kujdes

dhe u thashë:

— Më falni. E kam shkruar gabim.

Doja të thosha:

Qetësi.

/QendraPress/