Çaste poetike me poetin ;-Imer GLLAREVA

Prilli

———————–

Në prill, edhe toka thith aromë lulesh,

Kur çelin si në përralla lehtë mbi dhe,

Pranvera ringjall parqet me lojëra e blerim,

Edhe botës i jep buzëqeshje të re.

Nga lart dielli derdh rrezet me ngrohtësi,

Mbi sythat që hapen vërdallë

Në heshtje çelin gjethe të reja çdo ditë,

Lulet e prillit festojnë pa zë pa fjalë.

Ngjyrat shkëlqejnë cep më cep,

Si piktura të këndshme pambarim,

Natyra me lloj-lloj ngjyra stolirur,

Shpirtërat mbushen me gëzim.

Të qeshurat e fëmijëve si cicërima zogjsh,

Nën qiellin e kthjellët e të kaltër,

Të rinjtë qëndrojnë hijeve në parqe,

Me hapa të lehtë, dukje të bukur e të pastër.

Të moshuarit rrinë në rrezet e ngrohta,

Me zemra të lodhura, shpalosin kujtime,

Eh, pranvera prek çdo ndjenjë njerëzore,

Ringjall jetën me mall-dhimbje e gëzime.

/QendraPress/