Çaste poetike me poetin;-Kastriot FETAHU

ZJARR PA TYM

———————

Natën e shkuar,

ëndrrat u dogjën në orët e para të mëngjesit transatlantik.

Flaka e tyre ndezi fosforin si flakadan

drejt një familje franko-kanadeze,

matanë atij pellgut të gjelbër.

Katër rakunë kapërcyen rrugën

dhe u strukën pas një ferre të madhe,

frika ime

u fsheh në një buzëqeshje të shpallur.

Shtegtoj,

me një qen të pazakontë,

si një rrjetë litarësh

nga një peshk i madh i porsa kapur.

Këmbanat çjerrin mëngjesin,

pa asnjë shpjegim vizual.

Ndërsa dy katrorë përplasen në gjeometri,

e kuqja vulgare vizaton simbolin e shthurrjes.

Një stilolaps i thyer,

hedhur në dyshemenë e një laboratori,

shkruan adresën e banesës sime të fundit,

pa jetën e rrugës me autostop

dhe kokainën e arratisur.

/QendraPress/