Çaste poetike me poetin;-Nexhbedin BASHA

Dikur…

——————–

Dikur mungonte ujësjellësi e mbushnim ujë në krua.

Mungonte dushi e laheshim të gjithë me kova.

Mungonte makina e pas kuajve hapat ishin të nxituar.

Sikur kishim hipur në raketat më të reja që ka bota.

Dikur belbëzonin fjalë, po dot nuk I kemi shkruar

Mungonte mikrofoni e kërkonim jehonën te mali.

Fëmijët flinin në djepe druri duke i ninulluar

Tani u vëmë këngë të huaja me celularë te shtrati.

Dikur mblidhnim thërrimet me duar e i hanim.

Mbase nga varfëria apo nga porosia e gjyshes?

Tani pjatën më të mirë e ruajmë për macet te gardhi.

E lotojmë si fëmijë kur një ditë na sëmuren.

Dikur mbulonim arnat me duar te pantallonat e grisura

E ndanim bukën me shokët rrëzë portokalleve

Në lojërat që bënim me fëmijë te rrugica

Dielli terratisej i trembur më vonë tej maleve.

Dikur linim hapur dyert e shtëpive, kotecët, zahiretë.

E pjatat e gjellës ndërronim me fqinjin çdo pasdarke.

Tani vëmë dyer të blinduar me çelsa sekretë

E I vëzhgojmë nga kontinentet me kamera dixhitale.

Dikur skuqeshim nga dashuria si zjarr kuqëlor.

Kur preknim duart, ah, të na shihnit buzëqeshjet e arta

Tani avokatët më të shtrenjtë për divorcet kërkojmë

Sherrohemi me plumba dhe për një gardh me shkarpa

E dikurshmja na bëka pak nostalgjikë

Teksa e sotmja na fut në sinorët magjikë.

/QendraPress/