Çaste poetike me poetin;-Ramadan RESHITAJ

I KENDOJNE LIRISE
——————————–
Në zemër të Klinës, qytet i çliruar,
çdo verë një këngë ngrihet si flamur,
Festivali i lirisë çel krahët e vet,
mbi sheshin që ruan kujtime e jetë.
Aty qëndron Muja, në bronz i derdhur,
me shikimin larg, në horizonte kthyer,
si rojtar i heshtur i ditëve të reja,
që lindën nga gjaku, nga plagët, nga beteja.
Te këmbët e tij, në sheshin plot dritë,
mblidhen shqiptarë nga çdo anë e kufi,
djem e vajza me kostume kombëtare,
si lulet e pranverës në fusha shqiptare.
Këndojnë me zemër, vallëzojnë të lirë,
pa frikë, pa zinxhirë, pa net të vështirë,
në çdo hap të valles, në çdo këngë të re,
rreh zemra e Kosovës, si zjarr në rrufe.
Jehon kënga në male, jehon në çdo gur,
kujton ata trima që ranë për flamur,
kujton sakrificën, betimin e bërë,
që liria të mos mbetej veç ëndërr e vrarë.
Liria jo nuk erdhi si dhuratë nga qielli,
as si rreze që zbret vetvetiu prej dielli,
ajo erdhi e larë me gjak dëshmorësh,
me trimërinë e bijve të tokës arbërore.
Në Klinë këndohet me nderim,
për luftën, për sakrificën, për çlirim,
dhe Muja në bronz, krenar mbi atë shesh,
Kokën lartë në qiell dhe ëmbël buzëqesh!
“I këndojmë lirisë!” – ushton anembanë,
si amanet që brezat ta mbajnë,
që Kosova e lirë të jetojë përherë,
nën dritën e paqes, nga pranvera në pranverë.
/QendraPress/