Disa observime për dështimin e sotëm në Bruksel –Shkruan:Prof ,Dr, Milazim KRASNIQI

Përtej tamtameve pseudopatriotike e ideologjike, po i them disa fjalë për dështimin e sotëm në Bruksel, konsekuencat e mundshme të këtij dështimi dhe zgjidhjet që janë ende në dispozicion.

1. Dështimi mund të jetë i programuar, për ta afruar Serbinë me BE-në në sfondin e kërkesës që Serbia të shkëputet sa më shumë nga influenca ruse. Pra, si një favor për të. Por, një qeveri serioze e Kosovës, do të duhej ta kalkulonte edhe atë skenar si mundësi e të adoptonte politika që e pamundësojnë një skenar të atillë. Nëse ai ka qenë skenari I Borellit, qeveria e Kosovës ka rënë në grackë. Tash është e fajësuar për dështimin.

2. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ka synuar të lidhë normalizimin dhe afatizimin e tij me targat. Duket qëndrim logjik, por vetë Kurti e ka imponuar si të ndarë problemin e targave. Ai me problemin e targave e ka minuar procesin e normalizimit. Si pasojë serbët braktisën institucionet dhe tash integrimi i tyre është kthyer në pikën zero. Ky është një dështim i rëndë i qeverisë Kurti.

3. Harxhimi i gjitha asaj energjie për një problem teknik-administrativ ka qenë gabim që nga fillimi. Po të dëgjohej këshilla e SHBA-së që kjo çështje të shtyhej për dhjetë muaj, do të mund të ecte përpara procesi i negociatave për normalizimin e raporteve në bazë të projektit franko-gjerman ose evropiane-amerikan. Por tash edhe ai proces tashmë është i minuar.

4. Dalja e serbëve nga institucionet e ka krijuar klimën psikologjike e politike që në veri të fuqizohen organizatat terroriste si ato të dikurshmet “Narodna Odbrana” dhe “Crna ruka”, të njohura për terror e dhunë edhe ndaj serbëve, për t’ua faturuar fajin shqiptarëve. Një kryeministër i Kosovës, që do ta njihte historinë serbe, fanatizmin iracional serb për Kosovën, do të shmangte nxitjen e impulseve dhe organizimeve të tilla. Përkundrazi, qeveria Kurti u ka shërbyer si oksigjen organizimeve të tilla.

5. Dështimi i sotëm në Bruksel dhe fajësimi nga ana e Borrelit për Kosovën, mund të prodhojë njërën nga këto dy mundësi, e para, konfliktin civil në veri ndërmjet qeverisë sonë dhe serbëve lokalë, e dyta, krizën e qeverisë sonë. Kriza e veriut nuk e prekë askend tjetër, përveç Kosovën. Madje as Serbinë direkt, sepse ajo nuk mund të ndërhyjë në Kosovë. Kriza nuk i prekë as shtetet e NATO-s, Malin e Zi, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Nëse Kurti llogaritë të fusë në kurth NATO-n e ka krejt gabim, sepse nuk mundet. Prandaj kriza mund të dërrmojë vetëm Kosovën si shtet, duke e vu në pikëpyetje ekzistencën e saj. Saktë ashtu si e ka synim Serbia.

6. Kurti duhet të reflektojë e të dëgjojë aleatët tanë strategjikë, sa ka edhe pak kohë. Dorëheqja nuk është kurrfarë opsioni, sepse vetëm sa do ta dëmtonte Kosovën edhe më shumë, me rigjallërimin e konflikteve të brendshme partiake-politike, sigurisht edhe të rritjes së aktiviteteve subversive të shërbimeve të ndryshme sekrete. Pra, Kurti duhet të reflektojë, të rri në detyrë e të shndërrohet nga opozitari ndaj vetes në shtetar në shërbim të shtetit. Deri sonte është sjellë si opozitar, e jo si shtetar. Uroj ta ketë marrë leksionin sot, për të mos qenë vonë nesër. (21 nëntor 2022)/qendrapress.com/