E diela me poetin;Sabit Rrustemi
VETËM ERA E TRUPIT TËND
– variant –
Dua ta harroj erën
që fryu e shfryu pyllnajës sate
e i zdeshi pullazet e mia
erën që na i thau buzët
nëpër porta
dritare
gozhdave të ngulura trarëve të pritjeve
aty ku shpresa nuk vdiç as e fundit
Ti u shfaqe më në fund
përmes një reje
hapësirave të etura
trupit tim të përndezur
dëshirat e pathëna ndjeva
si pikuan mbi mua
pikë pikë deri në rrënjë
dhe atë avull kënaqësie
kur gufoi trupit Tënd
e ngjitej kodrave të zhveshura
kah ato mollëza kuqrreme
e pashë
Po tash
vetëm era e trupit tënd
depërton hapësirave të mia
e shtrihet luginave të thella të shpirit
duke i zbutur rreshkat e mallit
e tëra e ëmbëlt
e dridhshme
e ëndërrt
si buzët tona
( 19 shtator 2014 – 19 shtator 2020 )