E mërkura poetike me poeten;-Barie ÇUPI

…det hijerëndë.

———————————

Mos u xhindos det,

nga egoja ime sa një grimcë atomi e vetme,

je kaq i pafund,

i thellë sa përjetësia,

momenti yt duket hapësirë që nuk të braktis,

guralecët e tu fshehurazi më ngacmojnë nënlëkurën,

koha nuk duket se lëviz,

depërton e kryqëzohet emocionesh shtuar,

det që të ngop mendueshëm me avuj të jodizuar,

dallgësh kryeneçe,

gajasesh me valët që të lëmojnë në sipërfaqe

e shtyhesh për t’u përplasur me butësinë time,

e unë sa e sa i afrohem më shumë enigmës tënde,

hiqesh magjistar,

i plotfuqishëm në çastin tim imagjinar,

të dua det…

të kam në dejet e muzës sime

edhe kur nuk jam pranë teje,

është urtia ime,

guackash gjej zëra,

fjalë…

zhurmat e tua prej kraharori të blutë

buzësh të del shkum’e bardhë,

që freskon brinjë shkëmbinjsh,

dell inatçor prej një barku aq të fryrë,

ku perëndi e lotëve të tokës e të qiellit,

t’gjitha misteret e kalimtarëve të tu,

zbarkojnë idhshëm,

trazohen në shtratin tënd,

herë përmallueshëm,

herë kobshëm,

ndërsa muzgjesh të ulet dielli në fron,

për të zbutur epërsinë tënde,

të shëllisirës që të tendos damarët,

sa herë ti egërsohesh..

…det hijerëndë,

tani po bie nata,

hëna flijon dëshmitë e saj,

pret t’më përzërë mua,

unë prekem prej instinktit të hulumtimit,

gjumi ngucet e më tërheq për mënge,

det i tallazeve të shpirtit,

det i ëndrrave,

mbretëro pra i brishtë,

i paqtë në mbretërinë tënde.

/www.qendrapress.com/