E mërkura poetike me poeten:-Emrije KROSI
Metamorfoza e dashurisë…
——————————————
Më prek kaq ethshëm mbi të mollzat e mia të përgjakura,
dhe aromën e flokëve të mi,
me pikla të vjeshtës ku diellin e fundit,
e ka derdhur anëve të udhëve plot këpucë të pluhurat,
më përqafon si një violinë,
plot afsh kur thith cigaren e fundit…
më puth tinëzisht në një ashensor , me aromën e shampos së markës së fundit…
Nuk e kam ditur se fytyra e hijeve,
çel bimëza hollake të puthjeve,
kur dashuria derdhet lirshëm, shumëformëshe, pakufi, ethshëm,
në trajtat më të ndezura të hënës, kur hijësisht përqafohemi,
në platenë e kaltër,
se dashuria,
është një dhomë,
është një perimetër e paformë,
është një katror në shtëpinë e vjetër me ulluqe të lagështa fjalësh.
Dashuria është urtake.
Dashuria është forma e gotës së zbrazur.
Dashuria është hapsira boshe e kuqëluar.
Dashuria është rrëfim i përrallshëm.
Dashuria është ajo pika e fundit që derdhet.
Ajo është ajri që treti të fundit frymë pa fjalë,
në gropën e fundme të vdekjes epike…
…dhe momente dëshpërimi,
dhe dilema,
dhe ylberi,
dhe horizonti,
dhe ligji i shpirtit,
dhe drita e jetës guxon në gjoksin tënd…
dhe shpresa që ecën kuturu,
dhe befas një pëshpërimë…
/www.qendrapress.com/