Fryma poetike e së dielës me poeten;- Albina CEKA

MARATONA E LODHJES
———————————
Na iken koha lodhjes të humbur…
Pa u kënaqur me ditën, troket nata.
Dita e mpirë nga maratonat e gjata,
i dorëzohet natës, e lodhur, e mundur.
Krrusur, me këmbë e duar të mpira.
Nata hap krahët e përqafon ngadalë,
trupit të ditës lodhjen ia heq,
i këndon ninullën dhe e puth në ballë:
«Gëzoje ditën nesër, mos e ço për dreq!»
Mbyllen sytë, nga lodhja të mpirë.
Humbin ngadalë në gjumin e thellë,
pinë pushimin e etur deri në fund.
Nata ikën shpejt, pa lënë gjurmë,
derisa një rreze dielli kohën e shkund.
Ngrihet një hije, nga lodhja e dehur.
Maratonën e ditës e fillon përsëri,
orë pa fund, si robot i akorduar.
Kështu kalon koha e njeriut të varfër,
duket se ka lindur veç për të punuar.
Nata kthehet strehë ku dita gjen ngushëllim…
Koha rrjedh, njeriut tretet në të.
/QendraPress/