Fryma poetike e së dielës me poeten;-Manushaqe Hoxha LAÇI

E di…dhe më dhemb
—————————–
E di…kjo kohë ka rënë në baltë pa nder,
ku fjala e burrit shitet lirë, pa vlerë.
E di…se turpi s’ka më vend në këtë dhe,
dhe ndërgjegjja fle thellë, si e vdekur në ne.
E di…traditat po treten si hije në erë,
dhe rrënjët na i presin, pa zë e pa vlerë.
E di…se nata s’është më natë, por trishtim,
ku shpresa groposet pa emër, pa kujtim.
E di…e liga s’erdhi si armik në shesh,
por si mik i buzëqeshur që helmin ta vesh.
Na hyri në gjak, në mendje, në fjalë,
dhe sot na komandon si zot mbi çdo ballë.
E di…se mendja na është bërë rob i errësirës,
dhe i drejti përqeshet në mes të turmës të së ligës.
E di…se edhe uji është turbulluar në burim,
se edhe ëndrra ka humbur çdo kuptim.
E di…se si fjalë pa peshë është bërë besa,
që thyhet si xham në dorë të çmendur, pa shpresa.
E di…se sytë shmangen, nuk njohin më njeri,
se vëllai i largohet vëllait, pa asnjë pikë dashuri.
E di…se gjithçka është bërë veç politikë,
dhe e vërteta mbytet nën zëra kritikë.
Se morali është vrarë ditën për diell,
dhe askush s’po qan për këtë varr pa qiell.
E di…se familja po çahet si tokë e tharë,
dhe fëmija rritet në një botë të vrarë.
E di…se emrat ndryshojnë, por s’ndryshon më si njeri,
se brenda nesh po shuhet ngadalë dhe ajo grimcë dashuri.
E di…dhe kjo nuk është thjesht një rrëfim,
por një klithmë që kërkon zgjim.
Se nëse sot heshtim si gurë në këtë dhe,
nesër do jemi veç hija e asaj që kemi qenë dje.
/QendraPresss/