Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Xhuli SPAHIU

NËNA TEREZA NJË DRITË QË NUK SHUHET KURRË

(Një homazh për shenjtëreshën e dashurisë dhe njerëzimit)

Në një botë me lot,

me dhimbje e trishtim,

 ku zemrat harrojnë të falin ngrohtësi,

 ti u bëre një rreze drite në errësirë,

një dorë e dashur,

një shpresë e dlirë.

Nuk kërkove kurorë,

 as lavdi e pasuri,

as duartrokitje,

as emër e madhështi.

Zgjodhe të ecje pranë

të varfërve në jetë,

aty ku dashuria bëhet dritë e vërtetë.

Në çdo fytyrë të vuajtur pe një shpirt,

 në çdo lot të heshtur,

një rrëfim të vështirë.

Me dhembshurinë që rrezatonte në sytë e tu,

u dhe shpresë atyre që bota i harroi dikur.

 O Nënë Terezë,

zemër e kulluar,

dashuria jote mbeti e pashuar.

 Nga duart e tua mirësia mori jetë,

dhe botës i mësove si të dojë vërtet.

Na tregove se madhështia nuk është pasuri,

as pushtet, as famë, as krenari.

Por të ndash bukën me atë që ka uri,

të qëndrosh pranë tjetrit në çastin e vështirësi.

Sot, kur plagët e botës ende kullojnë,

kur urrejtja mure të larta ndërton,

jeta jote na kujton çdo ditë: pa dashuri,

kjo botë humbet dritë.

Le të mos rritet asnjë fëmijë pa përqafim,

asnjë nënë të mos qajë e vetme në trishtim.

Asnjë shpirt të mos mbetet pa shpresë,

 asnjë zemër pa dashuri e përkëdhelje.

Nënë Terezë, dritë e përjetshme,

emri yt qoftë një betim në zemrat tona:

 të duam më thellë, të falim më lirshëm,

ta bëjmë botën më njerëzore, më të dashur.

 Sepse shenjtëria nuk jeton vetëm në qiell,

 as vetëm në lutje që ngrihen si diell.

Ajo jeton në çdo vepër mirësie,

në çdo zemër që fal dashuri pa kufi.

 Me respekt

, admirim dhe dashuri për njerëzimin,

/QendraPress/