Kryeministri Hoti: Kosova hyn në dialog vetëm për njohje reciproke

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri dhe zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj,  ka nisur sot vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, me ftesë të kryeministrit Edi Rama.

Te Pallati i Brigadave, kryeministri Hoti është pritur me ceremoni shtetërore, për të vazhduar pastaj takimin e veçantë me kryeministrin Rama.

Në këtë takim, është biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore dhe për mundësinë e fuqizimit të bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet të dy shteteve.

Kryeministri Hoti ka falënderuar shtetin shqiptar dhe kryeministrin Rama për përkrahjen e vazhdueshme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit.

Pas takimit, të dy kryeministrat kanë mbajtur një konferencë para gazetarëve të pranishëm.

Në fjalën e tij kryeministri Hoti, pasi falënderoi kryeministrin Rama për vizitën që pati ditë më parë në Prishtinë pas zhvillimeve të fundit, tha se, sigurisht, ne besojmë se kemi maturinë e duhur institucionale për t’u përballur me ato situata.

“Kujdesi juaj që të vini menjëherë në Prishtinë pas atyre zhvillimeve  është shumë me vlerë. Ju falënderoj për pritjen miqësore dhe vëllazërore këtu. Tanimë është bërë një praktikë e bashkëpunimit tonë të mbledhjeve të përbashkëtat të dy qeverive tona dhe unë besoj që tash duhet të kalojmë në terma shumë praktike të bashkëpunimit tonë të përditshëm”, tha kryeministri Hoti.

Ai i ka përmendur tri projekte madhore, strategjike, që siç tha ai, e para është porti i Durrësit për të cilin tha se personalisht ka punuar me ish-ministrin e Financave për të pasur një pikë doganore, së dyti, në fushën e energjisë ne kemi sisteme komplementare energjetik, por duhet të kujdesemi që në afatgjatë të zgjidhim këtë problem duke konsideruar ndërtimin e një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji elektrike  Republikën e Kosovës, e treta lidhja e dy vendeve tona me hekurudhë.

Ndërsa, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama tha se kishte kënaqësinë të priste kryeministrin Hotin në Tiranë , me të cilin ka diskutuar në detaje lidhur me të gjitha aspektet e bashkëpunimit.

 “Jemi dakorduar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive në Shkodër dhe ne presim që situata jo e lehtë e lidhur me Covid të na mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit”, tha kryeministri Rama duke shtuar se me kryeministrin Hoti janë dakorduar edhe për një tjetër element të rëndësishëm, gjithmonë më shpresë se situata me Covid do të na mundësojë që të mbahet një konferencë në nëntor që dy qeveritë të sponsorizojnë kongresin e parë të autoriteteve vendore, i cili ne dëshirojmë të kthehet në një kongres tradicional, ku kryetarët e bashkive/komunave, së bashku me skuadrat e tyre, të mund të ndajnë praktikat e mira, sfidat e përbashkëta në adresimin e problemeve komunitare dhe potencialin e nismave të përbashkëta.

“ Do jemi gjithmonë në krahë të Kosovës, e mbështesim çdo moment Kosovën”, tha kryeministri Rama.

I pyetur nga gazetarët për procesin e dialogut, kryeministri Hoti tha se dialogu nuk ka alternativë dhe sa herë që ftohet në Uashington dhe Bruksel, do të shkoj për ta përfaqësuar Kosovën.

​Kryeministri Hoti tha se Kosova hyn në procesin e dialogut me parimin për njohje reciproke dhe për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *