Kur mendimi vihet nën tutelë ,ardhmëria humb drejtimin-Shkruan;-Gëzim AJGERAJ,shkrimtar dhe analistë politik.

Shtresa intelektuale në Kosovë – sikur të mos ishte profilizuar e polarizuar nën tutelën partiake, por të sillte në shërbim të kombit dhe ardhmërisë dijen, ndërgjegjen dhe zërin e saj, shumë rrjedha e zhvillime në Kosovë do të kishin marrë kahje më të mirë
“Mendimi i papërkulur para pushtetit është kolona e fundit që mban peshën e një kombi; kur ajo bie, çdo tjetër ndërtesë bie bashkë me të.”

Busulla e humbur

Çdo komb ka nevojë për një busull që nuk lëkundet kur era ndryshon drejtim. Kjo busull nuk është as ushtria, as thesari, as as edhe vetë shteti si ndërtesë institucionesh, është mendimi i lirë, ai zë që nuk flet për interes të ngushtë, por për të vërtetën ashtu siç e sheh, edhe kur e vërteta është e papëlqyeshme për ata që mbajnë pushtetin e ditës.

Kur ky mendim vihet nën tutelë, kur trupi që duhet ta prodhojë atë, shtresa intelektuale, bëhet vetë pjesë e lojës së pushtetit dhe jo gjykatës mbi të, kombi mbetet pa busull në mes të detit. Anija lëviz, motorët punojnë, ekuipazhi bërtet urdhra, por askush nuk di më nga po shkon, sepse ai që duhej të lexonte yjet, ka pranuar të lexojë vetëm hartën që i jep kapiteni i radhës.

Kjo është drama e heshtur e Kosovës së këtyre tridhjetë e ca viteve: jo mungesa e mendjeve të ndritura, ato i ka pasur dhe ka me shumicë, por robërimi i tyre vullnetar, ose i detyruar, brenda kornizave partiake. Intelektuali, në vend që të jetë pasqyra që i tregon kombit fytyrën e vet të vërtetë, shpesh është bërë xham i lyer me ngjyrën e atij që e mban peng, duke i treguar popullit vetëm atë që dëshiron pushteti të shihet.

Metafora e kafazit të artë

Ekziston një kafaz shumë më i rrezikshëm se kafazi i hekurt: kafazi i artë. Kafazi i hekurt e di vetë se është i burgosur, e ndjen ftohtësinë e shufrave dhe ëndërron lirinë. Kafazi i artë, në anën tjetër, e mashtron banorin e vet duke i thënë se ai është pallat, jo burg. Brenda tij ka pozitë, ka rrogë, ka titull, ka mikrofon në televizion, ka “karrierë”. Intelektuali që hyn në këtë kafaz shpesh nuk e percepton veten si të burgosur — përkundrazi, ndihet i privilegjuar, i zgjedhur, “i thirrur” për të shërbyer një kauzë që ia paraqesin si kombëtare, ndërkohë që në themel është thjesht partiake.

Platoni, në alegorinë e shpellës, na tregoi se robërit nuk vuajnë vetëm nga zinxhirët që i mbajnë të palëvizshëm, por edhe nga hijet që i besojnë realitet të vetëm. Intelektuali i tutelizuar është pikërisht ky rob i ri: ai nuk e ndjen zinxhirin sepse i është thënë se hija në mur është dielli. Dhe kur dikush provon të dalë jashtë shpellës për të parë dritën e vërtetë, shpellëtarët e tjerë, të mësuar me errësirën e rehatshme, e quajnë të çmendur ose tradhtar.

Këtu fillon tragjedia e vërtetë: jo se pushteti korrupton mendjen, kjo është e njohur prej kohësh, por se mendja vetë, nga frika e vetmisë, nga nevoja psikologjike për përkatësi dhe siguri ekzistenciale, kërkon vullnetarisht strehë nën një çati partie.

Erich Fromm e quajti këtë fenomen “ikje nga liria”, njeriu, kur liria i bëhet barrë e rëndë përgjegjësie, ia dorëzon veten dikujt tjetër që të vendosë në vend të tij, në këmbim të një siguri të rreme, por të ngrohtë.

Psikologjia e nënshtrimit gradual

Nënshtrimi i shtresës intelektuale rrallëherë vjen nga dhuna e hapur. Ai vjen përmes asaj që mund ta quajmë “korrupsion i qetë i shpirtit”: një ftesë këtu, një post këtu, një grant atje, një emërim në bord, një rrjet miqësish që të mbron nga kritika dhe të fut në rrethin e “të zgjedhurve”.

Psikologjia sociale e ka studiuar prej kohësh këtë mekanizëm, Solomon Asch tregoi se shumica e njerëzve, kur ndodhen përballë presionit të grupit, janë të gatshëm të mohojnë edhe atë që shohin qartë me sytë e tyre, vetëm për të mos u ndier të izoluar.

Nëse kjo ndodh me perceptime kaq elementare sa gjatësia e një vije, ç’të themi për çështje aq komplekse dhe të ngarkuara emocionalisht sa e ardhmja e një kombi, ku pasojat e “devijimit” nga linja e grupit mund të jenë humbje e vendit të punës, izolim social, madje edhe fushata denigruese?

Ekziston, gjithashtu, ajo që psikologët e quajnë “disonancë kognitive”: kur intelektuali bën një kompromis të vogël me ndërgjegjen e vet për të mbajtur pozitën, ai ka dy rrugë; ose të pranojë se ka gabuar, gjë që lëndon rëndë imazhin e vetes si njeri i ndershëm dhe i ditur, ose të ndryshojë bindjet e veta për t’i përshtatur me veprimin që ka bërë.

Shumica zgjedh të dytën, sepse është më pak e dhimbshme. Kështu, me kalimin e viteve, intelektuali nuk gënjen më vetëm publikun, ai gënjen veten, dhe kjo është forma më e thellë e robërisë, sepse robi që nuk e di se është rob, nuk kërkon më çelësin e portës.

Niçe paralajmëroi se “ai që lufton kundër përbindëshave duhet të ketë kujdes të mos bëhet vetë përbindësh”; po njësoj mund të thuhet: ai që hyn në politikë për ta pastruar atë, duhet të ketë kujdes të mos e humbasë veten në baltën që doli ta pastrojë.

Intelektuali organik dhe intelektuali i shitur

Antonio Gramsci foli për “intelektualin organik”, atë që del nga gjiri i shoqërisë dhe artikulon interesat e thella të saj, jo interesat e ngushta të një klike apo klase sunduese.

Por Gramsci vetë e dinte se çdo grup pushteti prodhon edhe intelektualët e vet, ata që i japin justifikim ideologjik dominimit ekzistues.

Në Kosovën e pas-luftës, kjo dallim është bërë thelbësor: kemi pasur, e kemi edhe sot, intelektualë organikë të kombit; zëra që flasin për drejtësi, për shtet ligjor, për arsim cilësor, për shëndetësi njerëzore, pavarësisht se cila parti është në pushtet. Por kemi pasur, në numër shqetësues, edhe intelektualë “organikë” të partive; njerëz me dije e talent të vërtetë, që e kanë vënë këtë kapital të çmuar në funksion të mbrojtjes së çdo vendimi, çdo emërimi, çdo skandali, të krahut të tyre politik, madje edhe kur bindja e tyre e thellë i thotë ndryshe.

Ky polarizim ka një kosto që rrallë matet me shifra, por që është aq reale sa borxhi publik: kostoja e humbjes së arbitrit të përbashkët.

Kur çdo analist, çdo profesor, çdo gazetar i specializuar klasifikohet paraprakisht si “i PDK-së”, “i LVV-së”, “i LDK-së” apo “i AAK-së”, publiku humb diçka thelbësore; mundësinë për t’u orientuar drejt së vërtetës përmes një diskutimi që nuk është thjesht luftë tranash.

Në një shoqëri të shëndoshë, qytetari mund t’i drejtohet ekspertit për të kuptuar një çështje komplekse; në një shoqëri të polarizuar deri në palcë, qytetari e di paraprakisht “çfarë do të thotë” secili ekspert, sepse e njeh ngjyrën e tij politike; dhe kështu, në vend të dijes, merr vetëm konfirmimin e asaj çka tashmë beson.

Rasti i shprishjes së arbitrit të përbashkët

Ka një moment domethënës në jetën e çdo shoqërie të polarizuar, kur qytetari i thjeshtë ndalon së kërkuari të vërtetën dhe fillon të kërkojë vetëm konfirmimin.

Kjo lëvizje psikologjike, e njohur në literaturën bashkëkohore si “tribalizëm epistemik”, nuk lind nga budallallëku i njerëzve të zakonshëm, por nga shpërbërja e institucioneve që dikur luanin rolin e arbitrit: gazetaria e pavarur, akademia e paanshme, drejtësia që nuk pyet për ngjyrën politike të palës.

Kur këto institucione bien nën tutelë, qytetari mbetet i vetëm përballë një mori zërash që të gjithë pretendojnë të flasin në emër të së vërtetës, dhe zgjedh, në mënyrë krejt njerëzore, të besojë atë zë që i përket fisit të vet politik.

Karl Popper e quajti shoqërinë e hapur atë shoqëri ku asnjë e vërtetë nuk konsiderohet përfundimtare, ku çdo pretendim mund të vihet në sprovë publike dhe të rrëzohet nga argumenti më i mirë, jo nga pushteti më i madh.

Por një shoqëri e hapur kërkon domosdoshmërisht një shtresë intelektuale që e mban këtë sprovë të gjallë, të pavarur nga interesat e ngushta.

Kur kjo shtresë tërhiqet nga fusha e betejës së ideve dhe hyn në fushën e betejës për poste, shoqëria e hapur ngushtohet ngadalë, pa u vënë re, derisa një ditë qytetarët zbulojnë se s’kanë më asnjë burim të përbashkët të së vërtetës mbi të cilin të bien dakord, as edhe për faktet më elementare.

Çmimi historik i heshtjes së mençur

Historia e njerëzimit është plot me momente kur zëri i një shtrese intelektuale, i çliruar nga tutela, ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

Vaclav Havel, dramaturgu që u bë president, shkroi se “fuqia e të pafuqishmëve” qëndron pikërisht në refuzimin për të jetuar në gënjeshtër; sepse regjimi, sido qoftë ai, mbahet në këmbë nga bashkëpunimi i heshtur i të gjithëve, edhe i atyre që e dinë të vërtetën por zgjedhin të heshtin për rehati.

Kur intelektualët çekosllovakë vendosën të mos e luanin më lojën e gënjeshtrës kolektive, sistemi që dukej i pathyeshëm u shemb brenda muajsh, jo vitesh.

Alexander Solzhenitsyn, nga thellësia e gulagëve, na la një thënie që duhet gdhendur mbi portat e çdo institucioni akademik: “Dhuna nuk mund të fshihet pas asgjëje tjetër përveç gënjeshtrës, dhe gënjeshtra nuk mund të mbahet në këmbë përveçse me dhunë. […] E gjithë ç’i duhet njeriut të ndershëm është të mos marrë pjesë në gënjeshtër.”

Mos-marrja pjesë, jo domosdoshmërisht heroizmi spektakolar, por thjesht refuzimi i heshtur për të qenë instrument i një narrative që e di se është e pjesshme apo e rreme; është forma më elementare, dhe njëkohësisht më e fuqishme, e lirisë intelektuale.

Edhe në traditën tonë, kemi shembuj të kësaj force: dijetarë e klerikë të Rilindjes Kombëtare, që nën perandori dhe nën presione të jashtme, zgjodhën t’i shërbenin gjuhës, arsimit dhe ndërgjegjes kombëtare, jo interesave të ngushta të momentit.

Sikur ata të kishin bërë llogari të vogla partiake apo krahinore, sot ndoshta as alfabeti i përbashkët nuk do të ekzistonte. Kjo trashëgimi na kujton se detyra e intelektualit nuk është konjukturale, ajo shtrihet përtej mandatit katërvjeçar të çdo qeverie.

Ç’do të kishte ndodhur sikur

Le ta lejojmë veten të hyjmë, për një çast, në hapësirën e “historisë alternative”, jo si ushtrim naiv fantazie, por si mjet filozofik për të matur koston reale të asaj që kemi humbur.

Sikur shtresa intelektuale e Kosovës, në vend që të ndahej sipas parapëlqimeve partiake, të ishte organizuar si trup i pavarur ekspertize, ashtu siç funksionojnë akademitë e shkencave apo urdhrat profesionalë në shoqëritë e konsoliduara, çfarë do të kishte ndryshuar konkretisht?

Së pari, reforma e arsimit nuk do të ishte bërë peng i çdo ndryshimi ministri, por do të kishte ndjekur një vizion afatgjatë, të bazuar në evidencë pedagogjike, jo në agjendën politike të katër viteve.

Së dyti, sistemi shëndetësor do të kishte pasur mbikëqyrje profesionale të pavarur nga presioni i emërimeve partiake, dhe skandalet e përsëritura të prokurimeve mjekësore ndoshta do të ishin parandaluar përmes një zëri ekspert që do të fliste me të njëjtën forcë pavarësisht se cila parti ishte në pushtet.

Së treti, dialogu Kosovë-Serbi do të kishte pasur pas vetes një front akademik e diplomatik unik, që do t’i kishte dhënë shtetit fuqi negociuese shumë më të madhe, në vend që çdo palë politike të përdorte ekspertë të vet për të minuar pozicionin e palës tjetër brenda vendit.

Së katërti; dhe kjo është ndoshta më e thella; vetë kultura politike e qytetarëve do të ishte tjetërsuar.

Një popull që sheh se dija flet me një zë, pavarësisht ngjyrës politike të pushtetit, mëson të besojë te institucionet dhe te e vërteta e verifikueshme.

Një popull që sheh se çdo “ekspert” është thjesht zëdhënës i maskuar i një partie, mëson diçka shumë më të rrezikshme: se e vërteta vetë është relative, se gjithçka është çështje force dhe interesi, se s’ka arsye të besosh askënd përveç fisit tënd politik.

Ky nihilizëm i heshtur, i mbjellë gjenerata pas gjenerate, është ndoshta dëmi më i thellë e më pak i dukshëm i tutelës intelektuale, sepse ai nuk shkatërron një ministri apo një projekt, ai shkatërron vetë themelin psikologjik mbi të cilin ngrihet besimi qytetar.

Kombi si pasqyrë e ndërgjegjes së tij

Immanuel Kant shkroi se ndriçimi (Aufklärung) është “dalja e njeriut nga mosmoshatakia e vetëshkaktuar”, paaftësia për të përdorur mendjen e vet pa udhëheqjen e dikujt tjetër, jo për mungesë intelekti, por për mungesë guximi.

“Sapere aude – ki guxim ta përdorësh mendjen tënde”, kjo ishte thirrja e tij. Shtresa intelektuale që zgjedh tutelën partiake në vend të guximit të pavarur, riprodhon në shkallë kombëtare pikërisht atë mosmoshatakinë që Kanti e quante skandal të arsyes njerëzore.

Winston Churchill, në një kohë të errët për vendin e tij, thoshte se “çmimi i madhësisë është përgjegjësia”, dhe se asnjë komb nuk mund të pretendojë madhështi nëse ata që e udhëheqin mendërisht ikin nga pesha e përgjegjësisë për të thënë të vërtetën, sado e hidhur qoftë ajo.

Nelson Mandela, nga ana e tij, na kujtoi se “arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorësh për ta ndryshuar botën”, por arsimi pa ndërgjegje të pavarur, i orkestruar nga interesa partiake, nuk prodhon armë çlirimtare, prodhon vetëm instrumente të reja nënshtrimi, të veshura me gjuhën e dijes.

Kombi, në fund të fundit, është pasqyrë e ndërgjegjes së shtresës së tij mendore. Nëse kjo pasqyrë është e thyer në copa partiake, çdo fytyrë që shikohet në të del e shtrembëruar, e ndarë, e paqartë.

Nëse pasqyra rikthehet e plotë; jo homogjene në mendim, por e ndershme në qëllim, kombi mund të shohë veten ashtu siç është vërtet, me virtytet dhe të metat e veta, dhe vetëm atëherë mund të vendosë me maturi se ku dëshiron të shkojë.

Drejt një busulle të re

Nuk bëhet fjalë, sigurisht, për të kërkuar nga intelektualët të mos kenë bindje politike, kjo do të ishte kërkesë naive dhe në thelb antidemokratike, sepse çdo qytetar, edhe ai me dije të thelluar, ka të drejtë të votojë, të besojë, të mbështesë.

Bëhet fjalë për diçka tjetër, shumë më delikate: për aftësinë për ta ndarë bindjen personale nga gjykimi profesional, për guximin për ta kritikuar “të vetin” kur gabon njësoj siç kritikohet “kundërshtari” kur gabon, dhe për refuzimin për ta shndërruar dijen në armë të luftës së pushtetit, në vend që ta mbajë atë si shërbim ndaj së vërtetës dhe kombit.

Kjo kërkon, para së gjithash, një riparim të brendshëm psikologjik: çlirimin nga frika ekzistenciale që e shtyn intelektualin drejt kafazit të artë, dhe rindërtimin e një etike profesionale që e vlerëson më shumë respektin afatgjatë të historisë sesa favorin afatshkurtër të pushtetit të ditës.

Kërkon gjithashtu institucione; akademi, universitete, shoqata profesionale, që të mbrojnë pavarësinë e vërtetë të anëtarëve të tyre, në vend që edhe ato vetë të bëhen fusha beteje partiake.

Sikur kjo shtresë të gjente rrugën drejt kësaj lirie të re, jo liri nga përgjegjësia, por liri nëpërmjet përgjegjësisë, Kosova nuk do të kishte më vetëm politikanë që luftojnë për pushtet katërvjeçar, por edhe një ndërgjegje kombëtare të përhershme, që qëndron mbi valët e çdo cikli zgjedhor, ashtu siç qëndron një far mbi shkëmb, i palëkundur, ndërkohë që anijet e ndryshme kalojnë poshtë tij, njëra pas tjetrës, drejt destinacioneve të veta.

Përfundim: Drita që nuk duhet t’i takojë askujt

Vlen të kujtojmë, në këtë pikë përfundimtare, edhe një paralajmërim që vjen nga një traditë krejt tjetër filozofike, ajo e Hannah Arendt-it, e cila studioi nga afër se si sistemet totalitare të shekullit të njëzetë nuk u ngritën vetëm mbi terror të hapur, por edhe mbi atë që ajo e quajti “banalitetin e së keqes”, gatishmërinë e njerëzve krejt normalë, madje edhe të arsimuar, për të pushuar së menduari në mënyrë kritike dhe për të ndjekur thjesht urdhrat, rolet, pritshmëritë e sistemit në të cilin ndodheshin.

Arendt shkroi se aftësia për të menduar, jo thjesht për të njohur fakte, por për të vënë në pikëpyetje, për të gjykuar në mënyrë të pavarur, është pikërisht ajo që e mban njeriun larg nga bashkëpunimi i verbër me çdo formë padrejtësie.

Një shtresë intelektuale që heq dorë nga ky mendim kritik, qoftë edhe pa e vënë re, hap rrugë jo domosdoshmërisht për tirani të hapur, por për diçka më të heshtur e po aq të dëmshme: për normalizimin e pandershmërisë si mënyrë e zakonshme e të bërit politikë.

Mendimi i lirë i ngjan dritës së diellit: kur e ndan sipas pronarëve, kur i thua bimës “ti rritesh vetëm me dritën e këtij krahu, jo të atij”, çrregullon vetë ligjin e natyrës që e bën një pyll të gjelbër e të shëndetshëm.

Drita e dijes, që buron nga shtresa intelektuale e një kombi, nuk i takon asnjë partie, ajo i takon të gjithëve njëkohësisht, ose nuk është më dritë, është vetëm reflektor i drejtuar nga dikush drejt diçkaje që dëshiron ta nxjerrë në pah, duke lënë pjesën tjetër në errësirë të thellë.

Kur mendimi vihet nën tutelë, siç e thotë edhe titulli i këtij shkrimi, ardhmëria vërtet humb drejtimin, jo sepse nuk ka më njerëz të mençur në këtë vend, por sepse mençuria e tyre është e ndarë, e frenuar, e drejtuar kundër vetes në beteja të vogla që s’i shërbejnë askujt përveç atyre që përfitojnë nga kaosi i përhershëm.

Rruga drejt një ardhmërie me drejtim të qartë kalon, para së gjithash, përmes çlirimit të kësaj shtrese nga zinxhirët e padukshëm të tutelës, dhe rikthimit të saj në rolin që i takon natyrshëmjo shërbëtore e pushtetit të radhës, por ndërgjegje e përhershme e kombitzë që flet kur të gjithë të tjerët heshtin nga frika apo interesi, dhe busull që nuk lëkundet, sido që të fryjë era e politikës së ditës.

2026/QendraPress/