Çaste poetike me poetin;-Rexhep HOTI

Faqe prej eshtrash

——————————-

Te shoh të shpërndarë nëpër erë,

por nuk e shoh qartë

je ti që po ikën

apo bota është duke e ndryshuar

formën e saj.

Gjithandej fluturojnë pamje të thyera,

si trupa qiellorë të harruar nga galaktika

dhe zogj pa skelet

përplasen prej kaltërsisë në tokë

me krahët e një gjuhe që askush s’e flet.

Aroma e fluturimeve më prek në buzë

dhe e ndjej se e ka shijen tënde;

emrat nuk vdesin kur arrijnë në fund njerëzit,

them me vete,

imazhet e tyre u pikturohen më pas ndërmend.

Të shoh si e vë kryet në gjoksin e tjetrit.

dhe palosesh ngadalë si një libër

që e mban ende formën e duarve që e kanë prekur;

unë rri në imagjinatë përballë

dhe nuk di:

po të humb ty

a njeriun kur ti më doje.

Mbase jam vetëm një mendim i vonuar

që endet rreth një trupi të vdekur

dhe s’e gjen dot shtegun

si ta braktis.

Ai të pushton me krahë,

me gjoks,

me besimin e verbër që ka trupi

kur nuk e di se shpirti po largohet

dhe më pas bien flokët e tua me klithje

dhe shemben mbi fytyrën e tij,

si një perde që bie në skenë ku askush nuk duartroket,

është mërzitur të qëndroj i ngujuar në atë vrimë

kunji

ndaj e nxjerr kryet për të vjellë marrëzinë.

Por pas perdes s’ka teatër;

pëshpërimat nuk janë fjalë,

a një këngë solo,

ngrihen si brumbuj që hanë nga brenda

dhe mbi mua shfaqet kodi vrasës:

“Ah, shpirti im!…

vazhdo, vazhdo…”

Epshi i tij shqyhet si një bishë

mbi brishtësinë tënde,

si pantera i mbyllur në kafaz;

“Atje”, do të thoshte Rilke,

“ku vullnetin e pa skaj të ngrirë e lë”

dhe përjetësia mbështetet për mur,

dhe vetëm shikon,

gjersa rrahjet e zemrës t’ia plasë.

Ndoshta edhe përjetësia ka turp prej nesh;

ndoshta Zoti nuk e krijoi vdekjen;

mbase verdhësia ishte ngjyra

për t’i kërkuar Të Gjithëfuqishmit një epilog,

për dashurinë që s’mund ta mbronin

dhe që larg e ndjej

si bota përpihet me një frymë;

pastaj bien sërish fluturat në fundbarkun tënd

e mbi plagët e mia dorëshkrim i djegur;

edhe iluzionet e kanë mënyrën e vet për të marrë fund.

Dhe befas një brejtje e huaj e pushton trupin tënd,

më kot kërkon qetësi,

ajo nuk vjen,

është duke vdekur diku tjetër përbrenda

dhe të shpërthen e tretur si një lumë

që hyn në det

dhe harron se dikur i kishte brigjet e veta.

Njeriu nuk i sheh gjurmët,

çastin kur bëhet shkak i një varre,

nuk e ndjen as dregëzën e saj,

ai i sheh vetëm duart

dhe unë e ndiej shformimin e imazheve,

fytyrat shtrembërohen,

malet humbin kreshtat,

rrugët harrojnë drejtimin,

dhe qiellin duket sikur dikush e ka lënë pa mbyllur,

si derën e një barake të përmbysur në Shqipërinë e viteve të nëntëdhjeta,

atëherë e çaj Kosovën sërish,

ajo më hapet para këmbëve si një libër i varrosur

me faqe prej eshtrash.

Vazhdoj i vetëm,

duke bartur kujtimet dhe mallin tënd

mbi shpinë,

si një thes librash;

si Pjetër Bogdani që mund të kishte bartur

një botë të tërë mbi krahë

kur toka nën këmbët e Kosovës

nuk ishte më e sigurt për fjalën;

por unë të bart ty

dhe kjo është më e rëndë,

sepse libri mund të digjet vërtet,

por njeriu vazhdon të digjet përbrenda atij që e kujton.

Vazhdoj te ec nëpër Kosovë

me një thes vuajtjesh mbi shpinë

dhe ti mos e hap atë port kurrë

në gjumin e bardhë;

ëndrrat mund të të takojnë pabesisht me gjyshen;

mos u del në takim,

ik,

ik prej andej;

ajo do të të shohë në sy,

do të të prekë me rrudhat e veta

dhe do ta kuptojë për çfarë ke qarë ti.

Mos ia bëj këtë.

lëre të besojë se ke ardhur tek ajo

nga një botë e mirë;

lëre të mendojë se njerëzit të deshën,

se dashuria nuk të vrau,

se koha nuk të tradhtoi,

se ti nuk mbajte asnjë varr brenda vetes.

Dhe nëse ajo të pyet:

“Ku mbeti ai?”,

mos i thuaj se jam ende gjallë,

mos i thuaj se kam mbetur në Kosovë,

mos i thuaj se eci ende me thesin tënd në shpinë;

thuaji vetëm:

ai mbeti aty ku mbarojnë njerëzit

dhe fillojnë kujtimet;

pastaj hesht,

sepse gjyshja jote do ta kuptojë,

do të kthejë fytyrën nga drita e amshimit

dhe do të shohë njeriun

që s’mund ta varrosësh.

Dhe do t’i qajnë rrudhat,

jo për ty,

jo për mua,

do t’i qajnë për dashurinë

që nuk gjeti trup ku të vdiste.

Atëherë mbaje fort,

mos e lër të kthehet,

sepse atje në botën ku nuk vdes askush,

edhe zia është e përjetshme

dhe ajo do të mbajë zi për ty

përjetësisht,

duke të të thirrur nga prapa

gjersa fryn e fryn veriu:

moj, qika ime,

a je veshur trashë,

Do të mërdhinë?!

Prishtinë, 2026

/QendraPress/