Minatorët hyjnë në ditën e tetë të grevës

                     Sot është dita e tetë prej kur minatorët e minierës me flotacion kanë hyrë në grevë. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.Gjatë ditës së djeshme, menaxhmeti i Trepçës ka suspenduar nga puna Kryetarin e Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin Destan Kerleshi, dy anëtarët e kryesisë, Gani Osmani dhe Fevzi Ademi dhe një minator – Esat Meha, me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues.Jonuzi  e cilësoi një vendim të tillë anti-ligjor. “Është i vërtetë suspendimi nga puna. Arsyetimi ka qenë se unë nuk jam organizatori i kësaj greve, por jemi vetëm ndërmjetësues mes bordit dhe punëtorëve. Është një vendim anti-ligjor që nuk i shërben demokracisë”, tha shkurtimisht Jonuzi  gjatë ditës së djeshme për Reporteri.net.Në një reagim më të gjërë, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës e vendimin e menaxhmentit të Trepçës për suspendimin nga puna të kryetarit të sindikatës të punëtorëve, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator, e ka cilësuar si shantazh dhe kërcënim.“Shantazhet dhe Kërcënimet nuk po ndalen. Sot si asnjëherë tjetër është vërtetuar se Trepça SH.A. dhe Minatorët nuk kanë rëndësi për askënd, qoftë President i Republikës së Kosovës, Kryeministër, Deputet, Ministër, Kryetar Komune, Shkencëtar, Publicist, Analist, Sportist apo çka do tjetër”, thuhet në reagimin e sindikatës.“Trepça dhe minatorët qenkan të një rëndësie të veçantë vetëm për konsum publik, ndërsa jeta e minatorëve, paska vlerën e një lecke që nuk vret veshin e askujt dhe se prek zemrën e asnjë qytetari të këtij vendi”, thuhet në reagim.Ata kanë adresuar kritika edhe për Qeverinë, Presidencën e deputetët e Kuvendit.“Ndoshta në një të ardhme, kur të fillojë viti zgjedhor, do të gjeni forcën, motivin dhe interesin tuaj për të na vizituar e treguar përralla, se si ju keni interesin dhe dashurinë ndaj minierës dhe minatorëve. Si ju jeni lokomotiva e shoqërisë dhe jeni meritorë”.