Moti i ligë shkakton dëme në Gjakovë, rrëzohen drunj dhe dëmtohen shtylla elektrike në Gërgoc e Cërmjan.

Moti i ligë që ka përfshirë rajonin e Gjakovës ka shkaktuar dëme materiale në disa zona, ku janë raportuar raste të rrëzimit të drunjve dhe dëmtimit të shtyllave elektrike.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur se sipas informacioneve të para nga terreni, incidentet janë regjistruar në fshatrat Gërgoc dhe Cërmjan.

Ajo ka njoftuar se njësitë relevante të Policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendngjarje për të vlerësuar situatën dhe për të ofruar asistencën e nevojshme.

“Sipas informacioneve të para nga terreni, si pasojë e motit të ligë, në fshatrat Gërgoc dhe Cërmjan janë raportuar disa raste të rrëzimit të drunjve dhe dëmtimit të shtyllave elektrike. Njësitë relevante të Policisë janë përgjigjur në vendngjarje, janë njoftuar shërbimet emergjente komunale dhe në bashkëpunim aktualisht rrugët në atë zonë janë të kalueshme”, ka deklaruar Krasniqi.